E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern-Inter, Murinjo: Champions është ëndërr, jo obsesion

MADRID- Interi ka preferuar stadiumin Alfredo Di Stefano dhe jo Santiago Bernabeun për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore në prag të finales së të shtunës kundër Bajernit. Atmosfera në kampin zikaltër duket entuziaste dhe këtë e kanë treguar edhe shakatë mes futbollistëve. Zhoze Murinjo ndërkohë ka qenë më i heshturi, ndërsa seanca stërvitore u ndoq edhe nga presidenti Masimo Morati. Të gjithëve u ra në sy një përshëndetje e tij me Murinjon, por kreu i Interit deklaron: “Nuk ishte një lamtumirë, absolutisht. Unë e di se do të japë më të mirën dhe pjesa tjetër nuk ka rëndësi, por nuk ishte një përshëndetje lamtumire”, tha ai. Për Moratin, njeriu i finales do të jetë kapiteni Havier Zaneti.

“Ai meriton të jetë protagonist, është një njeri që unë gjithnjë e mbaj në pëllëmbë të dorës”. Finalja e Champions League është një ndeshje që tifozët e Interit e presin prej 38 vjetësh. Në konferencën e fundit për shtyp para finales, Zhoze Murinjo deklaroi se nuk e ka mendjen tek e ardhmja e tij, por tek ajo çfarë do të ndodhë me Bajernin. “Kush luan një finale të Champions, nuk mund të mendojë për gjë tjetër, - tha ai. – Unë për momentin mendoj vetëm për ndeshjen me Bajernin dhe e mendoj si një ëndërr, jo si një obsesion. Madje, më pëlqen që edhe skuadra ime ta mendojë këtë si një ëndërr. Por, nesër pas ndeshjes futbolli në Evropë mbaron, nisin pushimet, Botërori. Sidoqoftë, edhe nëse do kisha vendosur gjë, nuk do ta thosha. Nuk është e lehtë të ndahesh nga një skuadër, nga tifozët e saj. Kur u ktheva në stadiumin e çelsit qava, kështu që s’është e lehtë”, shtoi portugezi.

Murinjo foli më pas edhe për betejën mes Gjermanisë dhe Italisë për vendet në Champions League pas dy sezonesh, duke thënë se kjo nuk i intereson shumë. “Në Portugali unë nuk njoh ndonjë tifoz të Portos që të bëjë tifozllëk për Benfikën apo e anasjellta. Po ashtu, tifozët e Realit nuk janë të mërzitur se Barcelona nuk është kështu. Njerëz si Galiani duan që ne të fitojmë që Italia të ketë 4 skuadra, por ai mendon jo si tifoz, por nga një pikëpamje tjetër”, u shpreh Murinjo. Finalja ndaj Bajernit të Mynihut është e dyta për trajnerin portugez. Ai ka triumfuar në këtë kompeticion në vitin 2004, kur në krye të Portos, mposhti 3-0 Monakon.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›