Bajern-Inter, për të bërë historinë
Bajern-Inter është finalja mes dy skuadrave dhe dy trajnerëve, që mund të hyjnë në historinë e futbollit europian. Të dyja kanë dominuar në atdhe: Bajernii ka ngritur tashmë “Meisterschale” (“pjatën e kampionit” të Gjermanisë) dhe DFB-Pokal (Kupën e Gjermanisë), Interi ka fituar titullin dhe Kupën e Italisë. Ai që do të fitojë Champions League mes Bajernit dhe Interit do të hyjë në histori për sigurimin e “Tripletës”, që konsiston në fitimin e dy trofeve kryesore kombëtare (kampionat e kupë) dhe Champions League në të njëjtin sezon. Një sukses të tillë e kanë arritur në gjithë historinë vetëm pesë klube para bararezëve dhe zikaltërve. E fundit në rend kohor ishte Barcelona e Pep Guardiolës vitin e kaluar. Në Itali, sikurse në Gjermani, asnjë klub nuk ia ka dalë të fitojë në të njëjtin vit, kampionatin, Kupën Kombëtare dhe Champions. Vetëm Interi në vitin 1965 ishte shumë afër. Zikaltërit humbën finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit, pasi kishin fituar titullin dhe Kupën e Kampioneve. Edhe Milani i Kapelos në 1993-‘94 fitoi kampionatin dhe Kupën e Kampioneve, por në Kupën e Italisë nuk shkoi përtej çerekfinales. Juve e humbi në 1972-‘73, kur u laureua kampione e Italisë, por humbi finalen e Kupës së Italisë dhe finalen e Kupës së Kampioneve. Qarku i mbyllur i klubeve që kanë realizuar “Tripletë”, shikon për momentin vetëm pesë skuadra. I pari që arriti tripletën ishte Sëlltik Glasgou në vitin 1967. Ata fituan kampionatin dhe Kupën e Skocisë në atdhe, pastaj në finalen e 27 majit mundën me përmbysje Interin e madh të Herrerës. Kaluan pesë vite, më 31 maj 1972 është Ajaksi që realizon “Tripletën Klasike”, kundërshtari është sërish Interi, i cili dorëzohet para vrullit të Johan Krujf në finalen e Roterdamit. Ishte Ajaksi i madh i “futbollit total” të Rinus Mishels, nga i cili Van Gaal ndihet pasardhësi natyral. Kalojnë 16 vite dhe sërish një trajner holandez me një skuadër holandeze siguron tripletën: PSV Eindhoven e Gus Hidinkut. Pas 11 vitesh distancë, i takon përsëri një trajneri skocez: Sër Aleks Ferguson, i cili drejton Mançester Utd në fitimin e Champions League në finalen ndaj Bajernit. Vitin e kaluar, siç dihet, ishte Barcelona e Pep Guardiolës. Blaugranët dominuan në vitin 2009, duke fituar edhe Superkupën e Europës dhe Kupën Interkontinentale. Tani Bajerni ose Interi janë gati të hyjnë në histori. E pabesueshme, por e vërtetë, një sukses, të cilin nuk e kanë arritur kurrë klubet me më shumë Championse të fituara: Real Madrid (9), Milan (7) dhe Liverpul (5). Vetëm 7 skuadra kanë mundur të fitojnë në të njëjtin vit Kampionatin Kombëtar, Champions dhe Kupën Interkontinentale. I pari që realizoi këtë ishte Interi i Herrerës në 1965. Në 1972 ishte radha e Ajaksit të famshëm. Pas një hapësire prej 20 vitesh, në 1991 i takon Yllit të Kuq të Beogradit. Ajaks për herë të dytë në 1995, pikërisht me Luis Van Galin në drejtim, pastaj në 1999 është radha e Mançester Utd të Sër Aleks Ferguson. Këtë sukses e arrin edhe Bajerni në 2001, pastaj i takon Portos në 2004, kampione e Europës me Zhoze Murinjon dhe kampione e botës me Viktor Fernandez. Bis i Mançester Utd në 2008 dhe për herë të parë, Barcelona vitin e kaluar.
#