E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi i 19-vjeçares çon në pranga dy tutorët

Korçë

Dy persona janë arrestuar nga policia e Korçës me akuzën e trafikut të femrave dhe shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. Policia ka arrestuar dje 35-vjeçarin Kristaq (Aurel) Prifti, banues në fshatin Pendavinj të Korçës, i cili është dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë, si dhe 43-vjeçarin Roland Kuro nga fshati Boboshticë. Ka qenë denoncimi në policinë e Korçës i një prej vajzave që këta persona kanë trafikuar në Greqi, ai që çoi në arrestimin e tyre. Peripecitë që ka hequr nga trafikimi, shfrytëzimi si prostitutë dhe abuzimi seksual që këta dy persona kanë kryer, e kanë detyruar vajzën e trafikuar prej tyre t’i denoncojë në polici. Arrestimi i këtyre personave është kryer pasi 19-vjeçarja me inicialet V.Sh., banore e fshatit Pojan, kur është kthyer nga Greqia ku shfrytëzohej si prostitutë së bashku me motrën e saj, ka vendosur të dëshmojë në policinë e Korçës. Policia tha se kjo 19-vjeçare, së bashku me motrën, e cila aktualisht ndodhet në Greqi, janë shfrytëzuar në vazhdimësi për qëllime prostitucioni. Ajo ka pohuar se edhe vetë dy personat që i kanë përdorur për prostitucion për qëllime fitimi, i kanë shfrytëzuar seksualisht, duke përdorur vazhdimisht dhunë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›