Çelsi, plan 102 milionë euro për afrimin e Leo Mesi
Çelsi po përgatitet të ofrojë 80 milionë sterlina (rreth 102 milionë euro) për talentin e Barcelonës, Lionel Mesi. Lajmi për shumën më të lartë të paguar ndonjëherë në histori për një futbollist është bërë i ditur nga "News of the World". Superoferta është dukshëm më e lartë se rekordi i transferimeve, kur në vitin 2001 Reali i Madridit i pagoi Juventusit 46,5 milionë sterlina (76 milionë euro) për Zinedin Zidan. Drejtuesit e Barçës këmbëngulin se Mesi nuk është në shitje, por shuma marramendëse mund t‘i joshë që të rishikojnë qëndrimin e tyre. Të paktën, kjo është ajo që blutë shpresojnë. Interesimi për talentin argjentinas dihej, por 102 milionë eurot e përgatitura për ta blerë janë zhvillimi më i fundit në klubin e zotëruar nga Roman Abramoviç. Manjati rus synon të bëjë ndryshime rrënjësore në skuadër dhe gjatë merkatos së verës shpreson të afrojë lojtarë që do t‘i siguronin Çelsit futbollin spektakolar. Miliarderi është lodhur me lojën pa fantazi të londinezëve dhe trajneri Avram Grant duket se e ka bindur të bëjë një investim të madh. Kjo do ta ndihmonte skuadrën të ngrihej në nivelin e rivalëve të Premiershipit, Mançester Junajted dhe Arsenal, të cilat vlerësohen për lojën plot fantazi. Sipas gazetës tjetër angleze, "The Sun", Abramoviç ka mbetur i mahnitur nga mënyra sesi Lionel Mesi u paraqit në gjysmëfinalen e kthimit ku në "Olld Traford" Barça u eliminua nga Liga e Kampioneve prej Junajted. 20-vjeçari ishte protagonisti kryesor në lojën ofensive të katalanëve dhe Abramoviç është i bindur se edhe Çelsi duhet të luajë në mënyrë aq spektakolare. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe arsyeja e afrimit të Henk Ten Kejt, në postin e zv/trajnerit të bluve. Holandezi është mjaft i lidhur me Mesin dhe e ka aprovuar interesimin e klubit për argjentinasin. Një burim pranë Çelsit pohoi për tabloidin se: "Roman (Abramoviç) është i bindur se Mesi mund të ndryshojë tërësisht pamjen e Çelsit dhe është i gatshëm të shpenzojë gjithçka që nevojitet për ta afruar argjentinasin në skuadër. Ai e ka dëshiruar gjithmonë llojin e futbollistit që Mesi përfaqëson. Kur trajner ishte Hoze Murinjo, Abramoviç e pranoi mënyrën e lojës së portugezit, pasi ajo i solli klubit disa trofe, por tashmë ai është mërzitur prej saj. Grant synon të ndryshojë disa gjëra, por ka shpjeguar edhe se duhet kohë dhe para për të ngritur kualitetin. Tashmë, ka ardhur koha që Roman t‘i financojë ndryshimet".
Po sipas mediave britanike, Mançester Siti është rikthyer në "pol" për yllin tjetër të Barcelonës, Ronaldinjo. Klubi i zotëruar nga Shinauatra është gati të paguajë 40 milionë eurot e pretenduara nga katalanët. Nga ana tjetër, fantazistit brazilian i është ofruar një rrogë mbi 150 mijë euro në javë.
Po sipas mediave britanike, Mançester Siti është rikthyer në "pol" për yllin tjetër të Barcelonës, Ronaldinjo. Klubi i zotëruar nga Shinauatra është gati të paguajë 40 milionë eurot e pretenduara nga katalanët. Nga ana tjetër, fantazistit brazilian i është ofruar një rrogë mbi 150 mijë euro në javë.