Bajern Mynihu në qendër të kritikave
Mesfushori Tomas Myler kundërshton mënyrën sesi media e ka trajtuar skuadrën e tij
Mediat gjermane e kanë kritikuar ashpër kampionin aktual të Gjermanisë, Bajern Mynihun, pas humbjes nga Borusia Dortmund, e cila me këtë rast ka bërë një hap të madh përpara, drejt titullit të kampionit, i cili i mungonte në vitet e fundit. Sulmuesi i ri Thomas Myler thotë se humbja nga Dortmund nuk është fundi i botës. Ajo që e preokupon më së shumti atë është mënyra e qasjes së mediave gjermane pas kësaj humbjeje. Sipas tij, komentet e mediave ishin të ekzagjeruara. “Ky nuk është fundi i botës. Natyrisht reagimi i mediave është paksa i tepruar. Ndeshja me Borusian ishte më e rëndësishmja e sezonit. Por, e përsëris: humbja nuk është fundi i botës. Jeta vazhdon”, theksoi 21-vjeçari për mediat gjermane. Përfaqësuesi gjerman mendon se bavarezëve në këtë ndeshje u mungoi fati, por ai nuk i mohoi në asnjë mënyrë meritat e kundërshtarit. “Borusia ka një ekip mjaft të fortë, të organizuar mirë taktikisht dhe që bën një futboll të thjeshtë dhe të shkëlqyeshëm. Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Kemi provuar të përgatiteshim maksimalisht, por ne shkuam në pushim në disavantazh, kjo nuk na shërbeu aspak. Unë e shpërdorova një rast që nuk mund të humbet, ndoshta do të ndryshonin gjërat. Pra, na mungoi edhe fati”, vazhdoi ai. Myler çuditet me faktin se, kur Bajern fitoi ndaj Interit në Ligën e Kampionëve, në Gjermani, ky ekip konsiderohej si hero. Kurse disa ditë më parë ky klub u kritikua tej mase. “Pas fitores në Milano, ishim fenomenë të Mynihut dhe të Gjermanisë. Humbëm një ndeshje dhe menjëherë u bëmë të gjorë. Ky nuk është realiteti”, shtoi Myler.