E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern, Riberi kushton 150 mln euro

Bajerni i Mynihut ka përcaktuar çmimin për fillimin e bisedimeve për shitjen e Frank Riberi. Pas zërave se Milani filloi të interesohej për mesfushorin francez, menaxheri i bavarezëve, Uli Hënes, pohoi se negociatat mund të fillojnë vetëm pas një oferte me vlerë 150 milionë euro. "Nëse Kaka vlerësohet 130 milionë euro, atëherë, Frank Riberi kushton 150 milionë", tha Hënes. "Vetëm pas një oferte të tillë mund të mendojmë se mund ta shesim këtë futbollist". Gjithsesi, kjo duket mënyra më e mirë për të larguar të gjithë klubet që kanë shprehur interes për yllin e Bajernit dhe përfaqësueses transalpine. Ndërkohë, presidenti i klubit, Karl-Hainc Rumenige, nuk preferon të flasë rreth mundësisë së largimit të Riberit. Gjatë një interviste për "Bild", ai deklaroi: "Vazhdoj të përsëris ato gjëra që janë thënë edhe në të kaluarën. Nuk jemi të përgatitur, e nuk dëshirojmë të fillojmë asnjë bisedë për shitjen e Riberisë, sado e lartë që të jetë shifra e ofruar". 25-vjeçari vazhdon të shkëlqejë në Bundesligë dhe është nën kontratë me Bajernin deri në vitin 2011. Për shërbimet e mesfushorit janë interesuar edhe Juventusi e Mançester Siti, megjithatë e ardhmja e tij duket se do të vazhdojë në "Alianz Arena". Pasi u konfirmuan të palëkundur në qëndrimin rreth të ardhmes së Riberi, drejtuesit bavarezë po mendojnë të përforcojnë skuadrën. Aleksandër Baumjohan mendohet se do të jetë afrimi i dytë në kontingjentin e Jurgen Klinsman (pas sulmuesit Ivica Oliç) gjatë merkatos së verës. Mesfushori 21-vjeçar, i cili luan me Borusia Mynshengladbah, do të kalojë te Bajerni me parametër zero. Edhe pse është aktivizuar vetëm në gjashtë ndeshje si titullar gjatë këtij sezoni, Baumjohan shihet si talent me shumë të ardhme dhe krahasohet me Mikael Balak.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›