E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri, zhduket në Adriatik një gomone me tre peshkatarë

Tre vlonjatë janë zhdukur pa gjurmë në detin Adriatik pas lëshimit të sinjalit SOS paraditen e djeshme. Romeo Puliso, Sotir Golaj dhe Niko Golaj kishin dalë në det të dielën. Ata kishin hipur në një gomone, që sipas të afërmve kishte një motor me 20 kuaj fuqi dhe do të gjuanin peshk në gjirin e Vlorës. Vetëm pasi kishin kaluar më shumë se 24 orë në det, bashkëshortja e Romeo Pulisos kërkoi ndihmë në Policinë e Vlorës për gjetjen e burrit të saj. Gruaja dhe të tjerë të afërm kishin komunikuar dje paradite në telefon me Romeon dhe ai u kishte thënë se ndodhej në rrezik. Kishte kërkuar ndihmë, sepse gomonia në të cilën ndodhej kishte pësuar defekte dhe drejtohej nga era në det të hapur e shumë të dallgëzuar. Pas njoftimit të policisë lokale, ishte Kapitaneria e Portit të Vlorës ajo që nisi përpjekjet e para për të gjetur e shpëtuar të rrezikuarit. Shefi i Kapitanerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, arriti të lidhej me telefon me njerëzit në rrezik dhe ata i dhanë disa koordinata jo fort të sakta, por i thanë se shihnin tokë në horizont, madje edhe se kishin parë një traget t‘u kalonte pranë pa i vënë re. Menjëherë janë vënë në gatishmëri strukturat e Kapitanerisë së Përgjithshme të Porteve në Durrës dhe struktura të tjera të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Në pak minuta është zbuluar nëpërmjet telefonit celular, se personat e rrezikuar ndodheshin pranë brigjeve të Malit të Zi dhe kërkimet janë përqendruar aty.

Por, deri dje në mbrëmje nuk është gjetur asnjë gjurmë nga gomonia, ndërsa komunikimi me njerëzit që ndodheshin në të është ndërprerë që në mesditë. Kapitaneria e Përgjithshme e Porteve Shqiptare me seli në Durrës, bëri të ditur se me gjithë kërkimet asnjë shenjë e gomones a tre personave që ndodheshin në bordin e saj nuk është gjetur. Kërkimet janë përqendruar në ujërat territoriale shqiptare dhe ato malazeze, por rezultatet fatkeqësisht nuk kanë qenë pozitive. Mendohet se për shkak të detit të dallgëzuar gomonia të jetë mbytur. Me të marrë njoftim për këtë situatë të rëndë detare në të cilën ndodhej gomonia, është organizuar një operacion kërkim-shpëtimi në bashkëpunim me rojet bregdetare dhe policinë kufitare të dy vendeve fqinje. Burime nga kapitaneria thanë për gazetën se me gjithë intensifikimin e kërkimeve gjatë orëve të pasdites, ujërat e Adriatikut kanë qenë të padepërtueshme. Një helikopter ushtarak dhe mjete të marinës ushtarake shqiptare janë përfshirë në kërkim, ndërkohë që edhe ushtria malazeze ka nxjerrë anijet dhe helikopterët e saj për të kontrolluar, por tre vlonjatët e humbur nuk janë shfaqur gjëkundi. Në përdorim janë vënë edhe radarët. Ndërkaq, trageti i linjës Ankona-Durrës, të cilit i ishte kërkuar nga kapitaneria të kontrollonte dhe të priste në det për gomonen që mendohej se gjendej jo larg tij, është futur dhe ankoruar në port. Tragetit iu kërkua të kontrollonte në det për mjetin e vogël lundrues, në bazë të një telefonate të bërë mes njërit prej tre personave e të vëllait dhe që i referohej faktit se njerëzit që lëshuan sinjalin SOS kishin parë në det një traget. Në atë kohë, trageti i Ankonës "Riviera del Connero", ishte i vetmi që lundronte në ujërat e Adriatikut, po me gjithë kërkimet për më se dy orë në det, asnjë gjurmë e gomones nuk u vu re. Si pasojë e kërkimeve në det, trageti u ankorua në orën 14.40 të ditës së djeshme, nga 12.30 që duhej të futej në kalatë. Pasdreke, burime nga Kapitaneria e Durrësit thanë se nga deklarimet e atyre që ndodheshin në gomone para shkëputjes së komunikimit me ta, ajo ndodhej në vështirësi rreth 35 milje larg bregdetit të Ulqinit. Me gjithë kërkimet e rojës bregdetare të Malit të Zi vendndodhja e mjetit nuk u evidentua. Burimet nga kapitaneria thanë se gomonia mund të ketë humbur drejtimin në detin e dallgëzuar dhe era e ka shtyrë në mënyrë të rastësishme. Duke u bazuar në drejtimin dhe forcën e saj, 6-7 ballë me drejtim nga jugu drejt veriut, u përcaktua si drejtimi më i mundshëm ai verior, futja në ujërat territoriale të Malit të Zi. Pikërisht në këtë zonë janë përqendruar edhe kërkimet, ndonëse është patrulluar dhe e gjithë pjesa tjetër e Adriatikut. Kërkimet në det dhe në tokë u ndërprenë rreth orës 18.00 të mbrëmjes së djeshme, për shkak të errësirës dhe pritet të rifillojnë në orët e para të mëngjesit, me shpresën se tre vlonjatët do të mund të kenë mbijetuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›