E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern, të gjithë duan shkarkimin e Van Gal

MYNIH- Një tjetër trajner është shumë pranë shkarkimit nga detyra e tij pas ndeshjeve të mesjavës në Ligën e Kampioneve. Luis Van Gal është konsideruar si fajtori kryesor për dështimin e Bajernit të Mynihut në Ligën e Kampioneve dhe sondazhet e tifozëve tregojnë se popullariteti i holandezit është në nivele shumë të ulta. Edhe pse u kërkua me ngulm nga drejtuesit bavarezë, Van Gal ka bërë që gjigandët gjermanë të jenë shumë pranë eleminimit nga Liga e Kampioneve, një kompeticion ku kjo skuadër ka qenë gjithnjë protagoniste. Me vetëm 4 pikë në 4 ndeshje, Bajernit i duhet të fitojë ndaj Makabit dhe Juventusit për të shpresuar te kualifikimi. Humbja 2-0 me Bordonë ishte nga më të rëndat e arritur nga kjo skuadër në vitet e fundit në arenën europiane. Tashmë Bajerni ndodhet 4 pikë prapa Juves dhe 6 nga Bordoja, që është e kualifikuar. Në një sondazh të kryer nga e përditshmja Bild, 75 % e tifozëve, pra 3 në 4 persona, kërkojnë shkarkimin e trajnerit holandez. Shifra që tregojnë se Van Gal jo vetëm nuk pëlqehet, por është kthyer në një të urryer në Mynih.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›