E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha po zapton pronat e shqiptarëve

TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka akuzuar sot kryeministrin Sali Berisha se po zapton në mënyre të jashtëligjshme pronat në të gjithë vendin.
“Nga Kakomeja në Jalë, nga Porto Romano në Gjirin e Lalzit, nga Orikumi në Borsh e në qendrën e Tiranës, duket se është bërë e pamundur që të kalojë qoftë dhe një ditë pa nxjerr në shesh një tjetër skandal e një tjetër abuzim që, jo rastësisht, kanë gjithnjë si emërues të përbashkët ministrat, djemtë dhe vajzat, dhëndurët e sekserët, e familjes që drejton sot vendin”, theksoi Balla gjatë një konference shtypi.
Ai shton se Parlamenti miraton ligje në inters të familjes, ndërsa akuzon policinë e shtetit se ushtron dhunë ndaj banorëve që kërkojnë të drejtën e tyre në Orikum.
Balla shtoi se “Partia Socialiste denoncon po ashtu situatën kaotike që mbizotëron në lidhje me ligjin për pronat”. “Nuk ka më asnjë dyshim se kaosi që rrethon çështjen e pronave është pjesë e një projekti të mbrapshtë e të mirëmenduar që i lejon familjes në pushtet dhe aventurierëve e sekserëve të saj të përfitojnë në mënyrë abuzive. Është pikërisht ky kaos që i lejon sekserëve të familjës Berisha të përfitojnë toka në Orikum, Lalz e gjetkë, ndërsa qytetarët e thjeshtë duhet të ruajnë pronat se mos ia merr Saliu”, vijoi ai.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›