E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni blen shqiptarin 17-vjeçar Florenc Keri



Shqiptari Florenc Keri, - 14 gola me Veria U-19 në Superligën greke - është blerë nga gjigantët gjermanë të Bajernit të Munihut, edhe pse 17-vjeçari kërkohej edhe nga tekniku i Arsenalit, Arsen Venger, i njohur për aftësinë e tij për të rekrutuar lojtarë të rinj e të talentuar. Keri nënshkroi një kontratë katërvjeçare me Bajernin e Munihut dhe do të përfitojë 245 mijë euro. “Skenar i çmendur i Bajernit për Lori Kerin”. Ky ishte titulli i përdorur nga faqja greke exedrasports.gr për lajmin e bujshëm të Lori Kerit te Bajerni i Munihut. Faqja më e madhe sportive greke sport24.gr, i ka kushtuar edhe një speciale të gjatë lojtarit shqiptar, që ajo e quan çuditërisht “elinoalvanos” (shqiptarogrek). Menaxheri Dhimitri Barbatis punonte për llogari të Arsenalit në Greqi dhe dëshironte që lojtari i ri të vishte fanellën e klubit anglez, por i dërguari i Arsen Vengerit, Tomas Kost, i cili e pa në aksion lojtarin e ri kërkoi pak më shumë kohë derisa djaloshi të piqej. Pikërisht, këtu përfitoi Bajerni i Munihut, që nxitoi të siguronte edhe shërbimet e Florencit, apo siç thirret shkurt në Greqi, Lori. Për 17-vjeçarin Keri interesohej edhe Iraklisi i Selanikut, por edhe disa nga klubet e mëdha të Athinës, përfshirë Olimpiakosin e AEK-un. Sport24.gr shkruan se skauteri Tomas Kost, e kishte përshkruar me superlativa fenomenin 17-vjeçar. Gazeta angleze “Sport Daily” kishte botuar lajmin për të, më 17 mars 2007. “Arsenali është në gjurmët e picirukut të jashtëzakonshëm këmbëmajtë të Greqisë, me emrin Lori Keri për të cilën është gati të paguajë 280 mijë euro dhe një kontratë”, - shkruhet në artikullin në fjalë, ku evidentohen edhe cilësitë e lojtarit të ri. “Luan në mënyrë të magjishme me topin dhe luan më kokën lart, duke treguar një personalitet të pazakonshëm në fushë për moshën e tij. Ka nuhatje të madhe për gol. Është një nga futbollistët e rinj me perspektiva të mëdha, cilësi që vetëm 17-vjeçari shqiptarogrek Sotir Nini tregoi me Panathinaikos”. Lajmi për Kerin ndodhet edhe në faqet gjermane, në një nga forumet e tifozëve të Bajernit, bayernkurve.de ku jepet i njëjti informacion.

Kush është Florenc Keri

I lindur më 17 shtator të vitit 1990, Florenc Keri është me prindër nga Shqipëria, të cilët mbërritën në Greqi për shkak të nevoja ekonomike. Filloi të luajë qysh fëmijë me Magnisiako, deri vitin e fundit, ku ishte dhe pjesë e formacionit bazë. Në moshën 16-vjeç kishte në llogarinë 24 gola (dhe 18 asistë), që ishte dhe bileta më e mirë për t’u ngjitur lart.

Katër lojtarë të Kastrioti shpëtojnë nga vdekja

Katër lojtarë të Kastriotit: Elton Grami, i cili luante edhe rolin e shoferit, Erion Rizvanolli, Erald Turdiu dhe nigeriani Xhejms Osusi kanë parë vdekjen me sy. Futbollistët ishin duke shkuar për të kryer stërvitjen e paradites, por Gramit i doli makina jashtë kontrollit duke kryer një aksident spektakolar në Tapizë. Autovetura kreu tre rretulime duke sjellë edhe dëmtimin në kokë të Erion Rizvanollit, i cili ishte në sediljen e parë pranë shoferit. Turdiu dhe Osusi, të cilit ishin prapa nuk pësuan asgjë. Rizvanolli morri ndihmën e parë spitalin e Fushë-Krujës dhe pas qepjes së plagës, pas dy orësh doli prej tij. Mjekët pohuan se nuk kishte asnjë rrezik për jetën, ndërsa vetë futbollisti pohoi se ishte i gatshëm të luante në kampionat ndeshjen e radhës.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›