E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Klinikës që pret pacientët-qeveritarë

Krijimi që më 1958-n dhe vazhdimësia deri në ditët e sotme. Personalitetet që ia kanë besuar shëndetin e tyre stafit prej 12 personash

Emanuela Sako

Klinika Qeveritare, tashmë me emër të ri, Qendra e Shërbimit Mjekësor në Ministrinë e Shëndetësisë, pret dhe përcjell në çdo kohë pacientë paksa “të veçantë”. E veçanta e kësaj klinike qëndron në faktin se pacientët e saj janë personalitetet më të larta të vendit dhe të botës që vizitojnë Shqipërinë. Në këtë klinikë vizitohen dhe kurohen presidenti, kryeministri, kryetarja e Parlamentit dhe të gjithë pjesëtarët e kabinetit qeveritar. Qëllimi i kësaj klinike është trajtimi dhe kurimi i pushtetarëve të vendit tonë. Në të kanë kaluar dhjetëra personalitete, që kanë pasur probleme me shëndetin, duke nisur që nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, familjarët e tyre e deri te pushtetarët e viteve të fundit. Kjo klinikë financohet nga qeveria dhe është gjithmonë e pasur me barna apo pajisje të tjera të domosdoshme për përballimin e rrethanave emergjente. Shumë pak veta e dinë ekzistencën e një klinike të tillë apo e njohin historinë e saj. Madje, tashmë ata kujtojnë se nuk ekziston më. Teksa pyet qytetarët që banojnë aty pranë se ku ndodhet Klinika Qeveritare, ata përgjigjen se dikur ka qenë aty pas godinës së Presidencës, ndërsa sot nuk e dinë nëse ka një të tillë apo se ku ndodhet. Ndërkohë, ndërtesa me funksionin specifik ndodhet pikërisht në atë vend ku ka qenë dhe dikur, pas godinës së Presidencës, por që për qytetarët e atyre viteve ka qenë si “molla e ndaluar”. Ata nuk duhet ta dinin, nuk duhet ta shihnin dhe nuk kishin pse të bëheshin kureshtarë.
Klinika
Teksa e vështron Klinikën Qeveritare të lë përshtypjen e një vile normale, që është e rrethuar me një kopsht të vogël dhe që ruhet nga ushtarët e Gardës së Republikës së Shqipërisë. Madje nga rruga kryesore është e padukshme, pasi mbulohet nga muret e larta dhe me bimë jeshile. Porta e saj e hekurt dhe e zezë ndalon që të hyjë dikush i papajisur me dokument identifikimi. Teksa hyn në ambientet e brendshme ajo që të tërheq më tepër vëmendjen është qetësia absolute që mbizotëron në të gjithë hapësirën e saj. Aty nuk ka pacientë, nuk ka radhë pritje, nuk ka mjekë që bëjnë indiferentin. Aty ka një staf mjekësh dhe infermieresh të kufizuara, që presin ndonjë personalitet-pacient tek-tuk, që të vijë për një vizitë mjekësore apo t’i bjerë telefonit për shkak të ndonjë problemi shëndetësor. Drejtori i Klinikës tregon se pacientët që vijnë në këtë klinikë janë të paktë në numër, pasi tani ka mjaft klinika shtetërore dhe private. Por ata që janë më të rregulltit dhe që i qëndrojnë fanatikë rregullit dhe etikës së një personaliteti janë kryeministri i vendit, presidenti, por edhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar. Stojku, drejtori i Qendrës, rrëfen se gjatë gjithë qëndrimit të tij në këtë pozicion ai që ka qenë më fanatiku dhe më i përkujdesuri për shëndetin është Alfred Moisiu, ish-presidenti, por edhe kryeministri Berisha, qoftë edhe në etikën e tij shëndetësore, duke u përkujdesur për vetveten. Në klinikë vijnë mjaft ministra, në çdo orë të ditës dhe të natës, pasi shërbimi që ofrohet është gjatë gjithë kohës, pa një limit kohor.
Stafi
Klinika ka një staf të kualifikuar dhe që gjendet në çdo kohë i gatshëm për çdo shoqërim të personaliteteve brenda dhe jashtë vendit, apo për çdo shoqërim delegacionesh të huaja në vendin tonë. Stafi përbëhet nga 6 mjekë specialistë dhe nga 6 infermiere, të cilët i gjetëm duke parë nga hyrja kryesore, në pritje të ndonjë pacienti që do të hynte për të kryer ndonjë vizitë. Ndërsa rrinë në një dhomë të veçantë ku ndodhet dhe telefoni, duke pritur që nga receptori të dëgjohet zëri i ndonjë politikani për të fiksuar ndonjë takim për vizitë apo për t’i thirrur në ndonjë rast emergjent. Ndërsa shoferët e autoambulancave presin urdhrin që me mjetet e tyre të rregullta dhe të pajisura mjaft mirë të nisen drejt ndonjë familje VIP-ash politikanë, kryeprokuror, kryetar gjykate etj. Ndërsa pastruesja shoqëron me sy të gjithë që hyjnë dhe dalin dhe që askush nuk harron të lërë gjurmët në pllakat e bardha, mbi të cilat mbartet një histori më vete e barelave me rrota që kanë shoqëruar për në dhomat e urgjencave një ish-ministër, një ish-kryeministër, një personalitet të huaj dhe mjaft personalitete të tjera.
Historiku
Klinika Qeveritare ka një histori të vetën dhe paksa specifike për vetë rolin që ka. Funksionimi i saj ka nisur që në vitin 1958 me stafin dhe pajisjet e asaj kohe. Në të janë kuruar mjaft njerëz të njohur të asaj kohe. Ajo ka shërbyer si një strehës, ku të gjithë pushtetarët kanë gjetur prehje dhe siguri në rastet e problemeve shëndetësore. Që në kohën e krijimit të saj ka funksionuar si një qendër spitalore dhe ka pasur një emër të veçantë dhe mjekë të përzgjedhur nga elita e asaj kohe. Ndërsa sot funksionon si një klinikë që ofron shërbim mjekësor të menjëhershëm, por që nuk ka shkëlqimin e mëparshëm përsa u përket vizitave apo trajtimeve të veçanta që bëheshin atëherë. Çdo problem shëndetësor i kujtdo personaliteti të njohur të politikës shqiptare ngelet e murosur në këto mure, dhoma apo ambiente. Gjithçka që nuk është marrë vesh nga qytetarët apo që nuk është bërë e ditur asnjëherë, nga njerëzit kureshtarë, ka ngelur në arkivat e tejmbushura me kartela për secilin personalitet që është vizituar këtu. Drejtori i Klinikës Qeveritare, Halit Stojku, rrëfen se në shtretërit e kësaj klinike janë trajtuar personalitetet e të gjithë vendit. Në ato shtretër janë vizituar, mjekuar apo dergjur shumë prej tyre. Cilido qytetar i asaj kohe apo i kohëve të sotme do ta kishte zili trajtimin dhe përkujdesjen që u ofrohej pushtetarëve të atyre kohëve, ata të cilët krijuan një epokë më vete në historinë e Shqipërisë.

Reanimacioni

Ndërkohë që vizitojmë dhomat e klinikës me kureshtjen më të madhe, ajo që të tërheq vëmendjen është dhoma e reanimacionit. Ajo është plotësisht e pajisur dhe gjenden dy shtretër pranë njëri-tjetrit. Drejtori i Klinikës shpjegoi se kjo dhomë është e pajisur plotësisht dhe është në gjendje për të pritur çdo rast emergjence. Ai nuk ngurron të përmendë si me shaka se në këta shtretër kanë qëndruar dhe janë kuruar Enver Hoxha, Hysni Kapo e mjaft personalitete të vendit. Nostalgjia që ruan kjo dhomë është e paprekshme dhe e papërshkruar, por ajo do të ngelet aty për të gjithë ata që e kanë përjetuar dhe që kanë punuar. Ngelet vetëm një hije kujtese dhe një histori më vete e një plejade që tashmë ka kaluar për disa. E ndërsa të tjerë do të vijnë. “Këtë vit kemi marrë pajisje të reja. Ka pajisje për reanimacionin, aparaturën e EKO-s etj. Klinika ka në dispozicion dy autoambulanca, që i kanë të gjitha pajisjet brenda dhe që i kemi marrë që në vitin 2005. Mungon një laborator, që do të shërbente për kryerjen e analizave klinike dhe biokimike. Një pjesë të analizave i marrim këtu dhe i çojmë në spitalet e tjera për rezultatet. Këtë vit na është akorduar një fond për rikonstruksionin e dyerve dhe dritareve, të cilat kanë që në vitin 1958 që janë vendosur”, - tregon Stojku.

Kërkesa e Ambasadës Gjermane
Me sa duket, deri tani diplomatët e huaj që janë në vendin tonë kurohen në klinikat private. Një nga ambasadat ka marrë iniciativën për ta ndryshuar këtë rregull të vendosur nga vetë ata. Sipas drejtorit të Klinikës Qeveritare, sekretari i Ambasadës Gjermane e ka parë ambientin, pajisjet, funksionin e qendrës dhe i kanë pëlqyer. Ambasada Gjermane i ka bërë kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë që stafi i tyre të vijë për kryerjen e vizitave në këtë klinikë. Kërkesa ka 3 muaj që i është dërguar Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk është kthyer ende përgjigje.

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›