Bajerni hipotekon titullin në Gjermani
MYNIH- Bajerni i Mynihut ka hipotekuar titullin kampion në Gjermani, pas ndeshjeve të javës së 33-të. Skuadra e drejtuar nga Luis Van Gal ka mposhtur 3-1 në takimin e parafundit Bokumin, ndërsa ka përfituar edhe nga humbja 0-2 e Shalkes në shtëpi përballë Verder Bremenit. Bajerni është ngjitur në kuotën e 67 pikëve dhe i duhet një humbje me mbi 10 gola në ndeshjen e fundit përballë Hertës së Berlinit. Ndaj Bokumit, heroi i bavarezëve ishte Tomas Myler me tre gola, ndërsa për miqtë shkurtoi diferencën Fuks. Ndërkohë, Shalke u mposht 0-2 në shtëpi nga Verder Bremeni, duke humbur praktikisht çdo mundësi për fitimin e titullit. Verderi me këtë fitore bëri një hap të sigurt drejt pjesëmarrjes në Champions League sezonin e ardhshëm, duke qenë se dy rivalet direkte Bajer Leverkusen dhe Borusia e Dortmundit nuk kanë fituar. Leverkusen barazoi 1-1 me Hertën në fushën e vet, ndërsa i njëjti rezultat u shënua edhe në takimin mes Borusias dhe Volfsburgut. Ndërkohë, në zonën e rënies, Hanoveri i Altin Lalës ka bërë një hap të sigurt drejt qëndrimit në Bundesligë, duke fituar 6-1 ndaj Borusia Mynshengladbah. Hanoveri ka parakaluar në renditje Nurembergun dhe Bokumin, ndërkohë që Herta ka rënë edhe matematikisht. Një fitore në javën e fundit bën që kjo skuadër të sigurojë qëndrimin. Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, Hofenhaimi fitoi 2-1 në fushën e Frankfurtit, Hamburgu mposhti 4-0 Nurembergun, ndërsa sfidat Shtutgart-Mainz dhe Këln-Fraiburg u mbyllën në barazim 2-2.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)