E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni i Mynihut vëzhgon Currin e Dallkun

 

E bujshme. Debatik Curri dhe Armend Dallku do të jenë sot nën vëzhgimin e një skauti të famshëm, që përfaqëson, as më pak e as më shumë, por Bajernin e Mynihut. Pas publikimit të lajmit në mediat ukrainase, një gjë e tillë u konfirmua zyrtarisht për “Panorama Sport” nga Debatik Curri. “Po, është e vërtetë”, pohoi mbrojtësi kuqezi, nëpërmjet linjës telefonike nga qyteti i Polltavës. Më pas, Curri sqaron: “Kemi mësuar nga klubi, që në ndeshjen kundër Ilitçivets Mariupolit, do të na ndjekë një menaxher i njohur, i cili është përfaqësues i Bajernit të Mynihut. Kaq mund të them, pasi nuk është se ka ndonjë gjë konkrete. Personalisht di vetëm që menaxheri i Hamburgut më ka vëzhguar në dy ndeshjet e kombëtares. Tani shpresoj që të fitojmë nesër (sot) dhe natyrisht të bëj një paraqitje të mirë.” Vorskla Polltava, ku aktivizohen prej vitesh dy kuqezinjtë, përballet në fushën e vet kundër Ilitçivets Mariupolit. Në tribunën “VIP” do të jetë “skauti” bavarez, Egon Kurdes. Sipas uebsajtit “football.ua”, ky i fundit ka marrë kontakte me klubin e Vorsklës, në mënyrë që të shtunën t’i rezervohej një vend. Kujtojmë që interesim konkret për Currin dhe Dallkun kanë pasur klube turke dhe ruse. Vlen për t’u përmendur Dinamo e Moskës dhe Gallatasarai. Ndërkohë, kontrata e tyre me Vorsklën, përfundon në fillimin e vitit 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›