Lojtari i U-21: Tregoj skandalin me cigaret
Ngjarja e ndodhur stadiumin e "Falkirkut" në Skoci pas ndeshjes së humbur nga Kombëtarja U-21 e Shqipërisë, ku ndezja e disa cigareve nga ana e stafit teknik ka shkaktuar aktivizimin e alarmit kundër zjarrit ka qenë e bujshme. Media skoceze, por edhe organizatorët e ndeshjes mes përfaqësueseve Shpresa kanë mbetur të habitur për faktin e thjeshtë se dihet fare mirë që nuk lejohet të pihet duhan në ambiente të tilla në asnjë vend të botës. Për të mësuar më saktë se çfarë ndodhi në Skoci pas ndeshjes, gazeta kontaktoi me një nga lojtarët kuqezi, i cili pranoi të tregonte ngjarjen me kushtin e vetëm që të mbetej anonim. "Gjithçka ndodhi pas minuta pas ndeshjes. Trajneri Artan Bushati i mërzitur nga humbja 5-2 doli në një ambient ngjitur me dhomat e zhveshjeve për të ndezur një cigare në momente stresi. Ishte një paradhomë në korridorin e dhomave të zhveshjes, një ambient i vogël, një hapësirë 3 metra i gjatë dhe 3 i gjerë. Një ambient i ndarë me dy dyer në tunelin e brendshëm, në mënyrë që të mos shihet fusha që aty, - tregon lojtari i Shpresave për 'Panorama'. - Për të shoqëruar trajnerin shkoi dhe zv/trajneri Jani Kaçi, ndezi edhe ai një cigare. Pas tij u bashkuan me dyshen edhe trajneri i portierëve Ilir Bozhiqi si edhe zyrtari i FSHF-së, Lysjen Nurishmi, të cilët gjithashtu nisën të pinin duhan, duke krijuar një shtëllungë të madhe tymi brenda ambienteve".