E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Lalën, Bariçi ishte më i mirë se Ari Hani

 

Jorgis MEMO

Të gjithë kundër trajnerit Ari Han, por këtë herë është një zë shumë i fortë. Pikërisht, kapiteni i kombëtares, Altin Lala, i cili në një intervistë për televizionin “Klan”, ka kritikuar zgjedhjet taktike të holandezit, ndërkohë që nga ana tjetër, ka vlerësuar ish-trajnerin Oto Bariç. Mesfushori “veteran” nuk mundi të luante kundër Danimarkës, për shkak të një dëmtimi në seancën e fundit. Ai tashmë shigjeton trajnerin Han, por aspak lojtarët.
“Mendoj se lojtarët dhanë maksimumin. Nuk dua t’i vë faj asnjë prej tyre. Të gjithë janë munduar të luajnë mirë dhe natyrisht të gjithë kemi përgjegjësi për këtë humbje, por edhe trajneri ka pjesën e tij. Në fund të fundit, trajneri bën skuadrën dhe ai ka përgjegjësinë e vet aty,”- është shprehur Lala.
Vlerësimi
Me 71 ndeshje të zhvilluara me fanellën kuqezi (dy më pak se rekordmeni Foto Strakosha), Altin Lala ka punuar me të katërt trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë. Duke nisur nga Bepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Bariç, e së fundi holandezi Ari Han. Si kapiten i kombëtares, ai vlerësoi shumë kroatin Bariç, i cili ka lënë mbresa në drejtimin e kuqezinjve. I pyetur në lidhje me këtë, shtatshkurtëri i kuqezinjve u shpreh në mënyrë diplomatike. “Kush ka më shumë sukses, ai është dhe më i miri. Unë nuk dëshiroj të ngrejë pararele, se kush është më i mirë apo kush më i keq. Është suksesi që tregon gjithmonë këtë, jo vetëm në futboll, por në çdo fushë të jetës. Suksesi është një fakt i pamohueshëm”,- ka thënë kapiteni, duke preferuar ta shprehë në mënyrën e tij vlerësimin për trajnerin Han dhe Oto Bariç.
Kritika
Nëse do të kishte qenë ai trajneri i Shqipërisë, në ndeshjen me Danimarkën, do të kishte luajtur më shumë në sulm, dhe jo 90 minuta në mbrojtje. Kështu mendon Lala, i cili e ndoqi ndeshjen me danezët nga tribuna. “Nëse do të isha unë trajneri? Nuk jam i tillë, por do të doja të ishim shumë më të guximshëm në sulm. Ndeshja në Danimarkë ishte shumë e dobët. Ne humbëm 3-0, por nuk arritëm të godisnim asnjëherë portën. Nuk mund të shkojmë në Danimarkë për t’u mbrojtur 90 minuta, pavarësisht se kundërshtari është një ekip shumë i fortë. Megjithatë, në ndeshje duhet të mundohesh të godasësh edhe portën”, - ka thënë 33-vjeçari, duke kritikuar indirekt trajnerin Ari Han, për mënyrën se si ai e vendosi ekipin.

Bilanci i Hanit dhe i Bariçit
Trajneri aktual i Shqipërisë, Ari Han, nga ndeshja e parë miqësore, e humbur 1-0 kundër Polonisë (27 maj 2008, në Reutlingen të Gjermanisë) e deri te humbja 3-0 kundër Danimarkës (zyrtare, 1 prill 2009 në Kopenhagen), numëron dhjetë ndeshje në krye të Shqipërisë: tre miqësore (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje) dhe shtatë zyrtare (1 fitore, 3 barazime, 3 humbje). Oto Bariç, e drejtoi ekipin kuqezi në eliminatoret e Kampionatit Evropian 2008. Zhvilloi me Kombëtaren tonë 4 ndeshje miqësore (2 fitore, 2 barazime), 12 ndeshje zyrtare (2 fitore, 5 barazime, 5 humbje).

Antaliaspor dhe Bursaspor, interesohen për Gilman Likën
Kanë vërshuar ofertat e para për talentin e kombëtares, Gilman Lika. Mesfushori i majtë po bën një paraqitje të shkëlqyer në kampionatin turk, me Haxhetepen, dhe kësisoji disa klube kanë nisur që tani bisedimet. Mësohet se Antaliaspor dhe Bursaspor kërkojnë shërbimet e shkodranit. Ky lajm bëhet i ditur edhe nga mediat turke. Lojtari është vëzhguar së fundmi edhe në dy ndeshjet e kombëtares, ku zhvilloi një lojë të pëlqyeshme. Nga këto ekipe, Bursaspor renditen në vendin e 6-të, duke synuar Kupat e Evropës, ndërsa Antaliaspor në vendin e 13-të. Lika me siguri do të largohet në verë, teksa Haxhetepe nuk ka shanse qëndrimi në ligën e parë turke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›