Përkujtohet 2 prilli, dita e katër martirëve të demokracisë
SHKODER - Përkujtohet me dhimbje 18-vjetori i rënies së katër martirëve të demokracisë në Shkodër. Familjarët e të vrarëve, deputetët shkodranë, përfaqësuesit lokalë, anëtarë të Këshillit Bashkiak etj, ishin të pranishëm për të përkujtuar 2 prillin, ditën kur gjatë një proteste popullore u vranë 4 dëshmorët e demokracisë Arben Brozi, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu. Veprimtaria nisi me vendosjen e kurorave në monumentin kushtuar katër martirëve të demokracisë, vendosjen e luleve te varrezat e qytetit, ku prehen eshtrat e tyre dhe më pas me vizitat te familjet e të rënëve. Deputetët e PD-së u shprehën para familjarëve se sakrifica e katër djemve shkodranë do tw mbetet simbol i demokracisë në Shqipëri. Aktiviteti u mbyll me një takim përkujtimor në Teatrin "Migjeni", ku organizatorët sollën edhe një herë në mendjen e shkodranëve dëshmi të asaj dite. Por sipas tyre, urdhëruesit e kësaj masakre asnjëherë nuk kanë dalë përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar. Shkodranët vazhdojnë ta kujtojnë me dhimbje 18 vite më pas ngjarjen e rëndë të 2 prillit. Në aktivitetin e djeshëm, kushtuar katër dëshmorëve të demokracisë, nuk ishin të pranishëm kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila është edhe deputete në këtë qytet. Gjithashtu kësaj here në këtë ceremoni munguan edhe drejtuesit e PS-në Shkodër, të cilët vitin e kaluar për herë të parë morën pjesë duke respektuar të rënët e 2 prillit 1991. Për nder të të rënëve, Arben Brozi, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu është vendosur në Shkodër edhe një monument. Familjarët e të vrarëve pohuan se ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga kjo tragjedi e rëndë për ta, 2 prillin do ta kujtojnë gjithmonë si më të rëndën që iu preu në mes jetën katër të dashurve të tyre. r.d