Duka vendos largimin e Ari Han, dilema është borxhi 80 mijë euro
Adrianus Han, ose i njohur ndryshe si Ari Han, trajneri i Kombëtares shqiptare ka një karrierë të gjatë si trajner, por të mbushur me largime nga më të çuditshmet. Megjithatë, në asnjë rast nuk ka dhënë dorëheqjen me dëshirën e tij. Ose e kanë shkarkuar, ose e kanë detyruar që të largohet. Ndërkaq, presidenti i FSHF-së, Armand Duka është ende në dilemë. Ai akoma nuk ka vendosur nëse duhet ta shkarkojë holandezin dhe më pas t'i shlyejë të gjitha detyrimet që përcakton kontrata (i kanë ngelur edhe 80 mijë euro), apo të gjejë një formë tjetër, e cila ta detyrojë trajnerin që të japë dorëheqjen. Kreu i FSHF-së e mori mesazhin e Hanit, pas humbjes me Danimarkën. "Unë nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen, por nëse duan të më largojnë, atëherë duhet të më shkarkojnë", ishte ajo që la të nënkuptohej trajneri i Shqipërisë, pas disfatës në Kopenhagen. Duka e di shumë mirë se edhe nëse e shkarkon Hanin edicioni nuk shpëton, por nëse vazhdon ta mbajë, do të ketë gjatë gjithë kohës të gjithë opinionin sportiv dhe tifozët kundër. Këtë dilemë pritet ta zgjidhë javën e ardhshme, pasi të jetë konsultuar me anëtarët e komitetit Ekzekutiv. Është e sigurt gjithashtu se presidenti i FSHF-së, nëse nuk do të ishte për 80 mijë eurot që Hani nuk i ka marrë ende, do ta kishte shkarkuar holandezin. Këtë e konfirmojnë edhe burime pranë teknikut. Dy muaj pasi vendosi t'i varte këpucët në gozhdë, ai mori drejtimin e skuadrës holandeze Antverp (1985-1986). Këtë ekip e drejtoi vetëm për një sezon, por nuk pati rezultate mbresëlënëse. Në dhjetor të vitit 2002 ai mori një ofertë nga Federata e Kinës dhe më pas u binte të drejtonte përfaqësuesen e këtij vendi. Skuadra arriti deri në finale të Kupës së Azisë (u mund nga Japonia), por nuk u kualifikua asnjëherë në Botëror. Ai qëndroi në krye të këtij ekipi deri në nëntor të vitit 2004. Në shkurt të vitit 2006 mori drejtimin e skuadrës iraniane Persepolis, por u largua prej aty, pasi pati probleme me krerët e klubit. Më pas vendosi të drejtonte kombëtaren e Kamerunit, por edhe aty nuk qëndroi më gjatë se gjashtë muaj dhe vendosi të largohej, duke akuzuar presidentit e Federatës së futbollit të Kamerunit, se i ndërhynte në formacion. Në dhjetor të vitit 2007, pranoi të bëhej trajneri i Shqipërisë.