Shpërthimi për guroren,zbulohen 25 kv ure e nitrat
URA VAJGURORE/ DILAVER XHELILI
Shmanget një “Gërdec i dytë” në fshatin Kondesbaltë të Urës Vajgurore. Një firmë që po tenton të hapë minierë guri afër shtëpive të banuara, do të shpërthente njëherazi 25 kuintalë ure të përzier me nitrat.
Pasojat e këtij shpërthimi do të ishin katastrofike nëse banorët nuk do të kishin pikasur sasinë e lëndës e më pas të lajmëronin policinë. Kjo e fundit shkoi rreth orës 18:00 të së enjtes në fshat dhe konstatoi sasinë e mësipërme, që rezultoi të ishte ure dhe nitrat. Burime të policisë bënë të ditur se është arritur shmangia e një tragjedie të mundshme. Mësohet se persona të ardhur nga Fieri, po tentonin të hapnin galerinë e gurit, duke përdorur sasi të mëdha lënde plasëse. Njëri prej banorëve, Vasil Bixho pohoi se 450 shtëpitë e fshatit të tij janë shumë afër vendit ku do të ndodhte shpërthimi. Ky fshat është i mbledhur e për rrjedhojë banesat janë shumë afër njëra-tjetrës. Po sipas Bixhos, 50 metra larg minierës janë 20 shtëpi. Por në distancë shumë të afërt ndodhen edhe pjesa tjetër e banesave të këtij fshati. Banorët pohojnë se do të hidhen në protestë nëse nuk merren masa dhe të detyrojnë këto firma të respektojnë kushtet teknike gjatë punës. Mungesa e këtyre kushteve, jo vetëm dëmton ambientin, por edhe rrezikon jetën e qindra banorëve. Fëmijët janë më të rrezikuar, sidomos në rastet e shpërthimeve të papritura. Burime nga bashkia në Urën Vajgurore pohuan se firma që do të hapte minierën kishte krijuar në fillim një tunel rreth 12 metra dhe me një gjerësi 2 metra. Aty do të kalonin vagonët, të cilët shërbenin për nxjerrjen e çakullit. Por pas përfundimit të këtij tuneli, firma kishte sjellë sasinë prej 25 kuintalë të përzierësve të lëndës plasëse. Pas shpërthimit të kësaj lënde drejtuesit e firmës kishin parashikuar që terreni të hapej bollshëm nga ku më pas do të vijonin me aktivitetin normal. Shpërthimi do të kryhej edhe me ndihmën e tritolit. Banorët e fshatit Kondesbaltë e kanë pikasur këtë veprim dhe menjëherë kanë shkuar në bashkinë e Urës Vajgurore dhe kanë vënë në dijeni drejtuesit e saj për rrezikun që iu kanosej. Më pas është njoftuar edhe policia. Blutë bllokuan lëndën plasëse dhe shoqëruan për disa orë drejtuesit e firmës. “Janë 450 shtëpi në këtë fshat dhe po të ishte kryer ky shpërthim do të kthehej në një ‘Gërdec të dytë’. Policia shmangu këtë katastrofë”, u shpreh Bixho. Sipas tij, ende banesat janë të rrezikuara nga shpërthimet.