E Shtunë, 31 Tetor 2026

270 minuta historike për Kukësin, gati shpërblimi

Nga Erion Saliu

Zv/presidenti Safet Gjici thekson se 3 betejat me Besëlidhjen, Luftëtarin dhe Lushnjën duhen vlerësuar maksimalisht për të arritur suksesin

Kukësin e presin tri ndeshje me ekipet e elitës së kategorisë së parë, por edhe me traditë, siç janë Besëlidhja, Luftëtari dhe Lushnja. Kuksianët janë të plotë për transfertën e Lezhës dhe synojnë të ruajnë ritmin për të siguruar kalimin direkt në superligë. Është bërë traditë që presidenca e Kukësit, për ndeshje vendimtare dhe jo vetëm, vë shpërblime për lojtarët.

Në një mbledhje të fundit që kanë bërë, drejtuesit e Kukësit kanë kërkuar nga grupi i lojtarëve që ta tregojnë veten në këto 3 javë të fundit. Kemi ardhur deri këtu me meritë dhe ky është një sukses i paparë që nga viti i themelimit të Kukësit. Të gjithë bashkë, presidencë, staf teknik, lojtarë dhe tifozë, duhet ta çojmë misionin deri në fund, duke bërë realitet këtë ëndërr  shekullore të Kukësit.

Jemi pranë superligës, por duhet të sforcohemi edhe në 270 minutat që na kanë mbetur. Kemi ndeshje të forta dhe i vlerësojmë kundërshtarët, sepse e kanë bërë tërheqëse garën. Për vetë pozicionin dhe objektivin që kemi, duhet të mos ndalemi, duke fituar me Besëlidhjen këtë javë dhe më pas me Luftëtarin dhe Lushnjën.

Rivalët kanë kualitet, por jemi në gjendje ti përballojmë me sukses, sepse kemi edhe ne lojtarë që kanë përvojë edhe në superligë, – shprehet zv/presidenti i Kukësit, Safet Gjici.

Shpërblimi Duke qenë tri ndeshje vendimtare, presidenca ka premtuar një shpërblim të majmë. E kemi mbështetur financiarisht dhe moralisht ekipin, duke lënë angazhimet tona, por jemi krenarë, sepse po na përfaqëson denjësisht.

Garantojmë se për tri ndeshjet e mbetura do të ketë mbështetje më të madhe morale dhe financiare. Duam që lojtarët të vazhdojnë me këtë ritëm edhe në 3 javët e fundit. Kukësi është shembull në fushën e tij dhe në transfertë, duke mos marrë asnjë karton të kuq këtë fazë, ka shtuar Gjici.

Përgatitjet Kuksianët janë duke punuar me intensitet këto ditë. Trajneri Shahin Berberi dhe lojtarët e tij e vlerësojnë çdo seancë. Të gjithë kanë një impenjim maksimal, ndërkohë që tifozëria i ndjek rregullisht.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›