Çelsi i lutet UEFA-s: Na fal kartonët
Një festë e bërë përgjysmë për futbollistët e Çelsit, pasi pjesa më e madhe e titullarëve nuk do të jenë të gatshëm për finalen e Ligës së Kampioneve. Ivanoviç, Ramirez, Meireles dhe Xhon Terri janë të pezulluar, ndërsa David Luiz e Geri Kahill janë të dëmtuar. Të detyruar nga situata alarmante, blutë e Londrës kanë kërkuar mëshirë nga UEFA. Mesfushori Obi Mikel ka folur në emër të shokëve të skuadrës dhe i ka kërkuar organit drejtues të futbollit që tu falë kartonët e marrë në ndeshjen e fundit, duke i lejuar kështu të aktivizohen në finale. Jemi të përgjysmuar. Festuam për kualifikimin, por gëzimi sikur fashitej kur mendonim për ndeshjen e fundit të Champions-it. Kemi shumë probleme. Shpresojmë që UEFA të na i falë. E dimë që me rregullore nuk lejohet një gjë e tillë, por mua nuk më duket një rregull i drejtë. Tifozët kanë të drejtë që të shikojnë një ndeshje spektakolare në finalen e kompeticionit më prestigjioz, dhe një gjë e tillë do ndodhë vetëm nëse jemi në maksimumin e forcës sonë. Nëse zbresim në fushë të përgjysmuar, sigurisht që edhe bukuria e ndeshjes nuk do të jetë në nivelet e saj më të larta, – nënvizoi Obi Mikel. Ai shtoi gjithashtu se UEFA mund ti falë kartonët e marrë në ndeshjen ndaj Barcelonës, edhe pse kundërshtarët i provokuan. Po të shohësh me vëmendje, lojtarët e Barçës ishin tejet tendenciozë e provokues. Pikërisht prej ngacmimeve apo simulimeve të tyre ne u ndëshkuam nga arbitri, – tha ai. Sipas rregullores, një gjë e tillë nuk ka shanse të ndodhë, por në fakt ky rregull ka vite që kritikohet. Shanset janë të pakta që të falen kartonët, megjithatë kjo edhe mund të realizohet nëse të dyja skuadrat finaliste do i dërgojnë një letër të përbashkët UEFA-s, pas një mirëkuptimi mes tyre që lojtarët e pezulluar të falen.
Fabregas: Jam fajtor për eliminimin
Cesk Fabregas mendon se është shkaktar për eliminimin e skuadrës së tij, por jo për atë që dha në fushën e lojës gjatë ndeshjes së kthimit. Në ndeshjen që zhvilluam në Stamford Bridge, unë shpërdorova disa raste mjaft të mira për shënim. Akoma jam i zhgënjyer që nuk arrita të shënoj. Po ta kisha bërë një gjë të tillë, jam i bindur se do ishim kualifikuar. Ndihem fajtor për eliminimin e skuadrës. Nuk më falet që shpërdorova në një ndeshje kaq të rëndësishme, – tha Fabregas. Ndërsa për sfidën e kthimit ai fajëson fatin.Lampard
Frenk Lampard nuk u kushton aspak rëndësi kritikave, sipas të cilave ata zhvilluan një lojë të shëmtuar kundër Barcelonës, duke menduar vetëm për mbrojtjen. Mendoj se askush nuk mund të na gjykojë për lojën që zhvilluan. Ne donim të siguronim finalen dhe nuk dështuam. Fituam ndeshjen e parë dhe në të dytën dolëm barazim. Tani mendojmë vetëm për finalen dhe nuk jemi aspak të përqendruar tek ato që thuhen për ne, u shpreh Lampard.Terri
Xhon Terri pendohet për atë që bëri. Pranon se ishte një gabim në nerva e sipër dhe u kërkon falje shokëve të ekipit. Sançez po më ngacmonte dhe në atë moment u afrua drejt meje. E godita në nerva e sipër, por gabova. I kam zhgënjyer shokët e skuadrës dhe për këtë kërkoj falje. Nuk duhet ta kisha bërë atë veprim, – u shpreh Terri. Më pas, ai përgëzoi lojtarët për kualifikimin në finale. Djemtë bënë një ndeshje të paharrueshme.