Bajerni, me probleme të shumta para Mançesterit
MYNIH- Për Bajernin e Mynihut, përballja e çerekfinaleve të Champions League ndaj Mançester Junajtid nuk mund të vinte në një moment më të keq. Bavarezët u mundën 2-1 të shtunën në kampionat nga Shtutgarti, ndërsa nuk do të kenë të gatshëm as Arjen Roben, që ka pësuar një tërheqje muskulare në këtë takim. Po ashtu, Bastian Shvajnstajger është i pezulluar, ç’ka i shton problemet për trajnerin Luis Van Gal. Përballë të martën do të jetë Mançesteri, një ekip nga i cili Bajerni është mundur 2-1 në finalen e vitit 1999, falë dy golave në kohën shtesë. Sipas trajnerit Van Gal, Bajerni nuk ka vazhdimësinë e “Djajve të Kuq” në Champions League, megjithatë kjo skuadër është në gjendje të surprizojë këdo. “Ne mund të surprizojmë çdo skuadër, besoj se mund ta bëjmë këtë, - deklaroi holandezi. – Bajerni nuk është ende në nivelin e Mançesterit, por për një ndeshje ne mund të luajmë si të barabartë”. Van Gal konfirmoi gjithashtu se Roben nuk do të luajë, pasi sipas tij, futbollisti nuk është në 100 % të formës. “Roben nuk kishte një dëmtim të vërtetë, por ju i dini këto probleme, - sqaroi Van Gal. – Ne po mundohemi që ai të jetë në gjendje të luajë, por nuk mund të marr rreziqe të mëdha, kështu që do ta hedh në fushë vetëm kur të jetë në maksimum”. Në fund, tekniku i skuadrës bavareze bëri edhe një koment për sulmuesin më të rrezikshëm të Mançesterit, Uejn Runin. “Runi mendoj se është një super futbollist dhe ende është shumë i ri. Që kur ishte më i vogël ai kishte një vizion të qartë për lojën dhe tani e ka zhvilluar atë”, deklaroi më tej Luis Van Gal.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)