Bajerni mund Shalken dhe "ngjesh" kreun
Dje u luajtën tri ndeshjet që kompletuan javën e 12-të të Bundesligës. Bajerni i Mynihut është vetëm një pikë larg Leverkusenit kryesues, pasi Luka Toni dhe Frenk Riberi shënuan për bavarezët në fitoren 2-1, të arritur ndaj Shalkes. Toni, i cili rikthehej nga një dëmtim, shënoi golin e parë për Bajernin, që në fillim të ndeshjes, që luhej në një nga fushat tradicionalisht më të vështira për kampionët e Gjermanisë. Thuajse menjëherë, Shalke barazoi me anë të Xheferson Farfan, por pas gjysmë ore lojë, Frenk Riberi bëri diferencën me një gol që i shkon përshtat klasit të futbollistit më të mirë në Bundesligë. Për francezin, ky ishte goli i katërt në katër ndeshjet e fundit, teksa Bajerni ka fituar pesë herë radhazi dhe është futur sërish në valle për titull. Hofenhaimi, që i ka habitur të gjithë në këtë sezon, është mundur 1-0 në fushën e Hertës, duke ndalur një ecuri prej gjashtë fitoresh radhazi. Skuadra e Ralf Ragnikut mbetet në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Leverkusenin, por ka golaverazh më të dobët. Si nuk kishte ndodhur asnjëherë në këtë kampionat, treshja sulmuese e Hofenhaimit, Ibiseviç-Ba-Obasi nuk gjeti rrugën e golit. "Heroi" për Hertën, ishte sulmuesi ukrainas Andrei Voronin, që shënoi 20 minuta para fundit, duke i ngjitur kryeqytetasit në vendin e pestë të klasifikimit, me 21 pikë. Vlen për t'u përmendur se nga Leverkuseni kryesuese te Këlni i vendit të tetë diferenca është vetëm gjashtë pikë. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Mario Gomez ka shënuar, tri minuta para fundit, duke e shpëtuar Shtutgartin nga humbja në Frankfurt. Ndeshja u mbyll 2-2, pavarësisht se Ajntrahti kaloi në avantazh të dyfishtë.
Bundesliga, java e 12-të
Dje
Frankfurt - Shtutgart 2-2
Herta Berlin - Hofenhaim 1-0
Shalke - Bajern Mynih 1-2
Të shtunën
Arminia - Borusia M 0-2
Bokum - Verder Bremen 0-0
Hamburg - Dortmund 2-1
Karlsruhe - Leverkusen 3-3
Volfsburg - Kotbus 3-0
Të premten
Këln - Hanover 2-1