Shqiptaro-amerikanët dhe Presidenti Barack Obama
Si ndihmuan shqiptarët e Amerikës në mbledhjen e rreth 1 milionë dollarëve për Presidentin e ri të Amerikës, Barack Obama. Takimi me presidentin e sapozgjedhur në vilën e multimiliarderit të Wall Street-it, Paul Tudor Jones dhe rivaliteti me serbët, për një politikë pro-shqiptare...
Që nga momenti i shpalljes së lajmit se Barack Obama do të futej në garë për President të SHBA-së, shumë shqiptaro-amerikanë u vendosën në pozita kundër tij. Arsye e fortë për këtë ishte Hillary Rodham Clinton, pretendente demokrate më vete për pozitën e Presidentit të SHBA-së dhe gruaja e ish-presidentit Bill Clinton, i cili ishte një ndër ndihmuesit më të mëdhenj të Kosovës, gjatë Luftës së viteve 1998-1999. Në garë ishin edhe disa personalitete, të cilët janë miq të shqiptarëve. Nga Partia Demokratike ishin Senatori Joseph Biden dhe Senatori Christopher Dodd dhe nga Partia Republikane Senatori John McCain dhe ish-kryetari i Bashkisë së New York-ut, Rudy Giuliani. Vendimi për t’u përcaktuar se kush duhej përkrahur nuk ishte i lehtë. Por strategjia të cilën e përdorin të gjitha grupet etnike në Amerikë dhe sidomos hebrenjtë, është shumë e thjeshtë. Komunitetet e ndryshme, në fazën preliminare, ndahen në grupe-grupe dhe mbulojnë tërë spektrin, edhe demokratë, edhe republikanë. Pastaj, ndërsa ndodh eliminimi i kandidatëve, bashkohen në grupe më të mëdha dhe përkrahin kandidatët finalë ose atë që premton dhe ka aftësi të bëjë më shumë për Amerikën, komunitetet e tyre dhe vendet e tyre të prejardhjes. Njerëzit që nuk e njohin politikën e Amerikës flasin për faktorë ideologjikë në teatrin e politikës amerikane, por ideologjia është vrima e fundit e kavallit në SHBA. Politikëbërësit amerikanë fokus qendrorkanë interesin nacional dhe sa u përket dallimeve partiake ata kanë shumë për zemër thënien e ish-kryeministrit britanik Disraeli: “Jam i majtë dhe liberal për atë që duhet të ndryshoj dhe i djathtë dhe konservator për atë që duhet ruajtur.“ Një arsye tjetër pse shumë shqiptaro-amerikanë nuk honepsnin të hidhnin përkrahjen e tyre pas presidentit të ri të Amerikës ishte edhe thashethemnaja (gjysmë e vërtetë) se Obama ishte nën presion nga serbo-amerikanët. Këto përfolje u deshën të jenë një faktor shtesë për shqiptarët që t’i afrohen Obamas dhe t’i prezentojnë atij dhe stafit të tij të vërtetën e raporteve serbo-shqiptare në Ballkan.
19 maj 2007
Me 19 maj 2007, aty nga ora një pasdite, zbrita poshtë shkallëve për në garazh të merrja makinën dhe të vozisja për tek shtëpia e Richard Lukajt. Z. Lukaj është një ndër bankierët më të suksesshëm shqiptaro-amerikanë dhe shtëpia e tij, një kullë me vlerë disa milionëshe është në Greenwich, një ndër qytezat më të pasura në shtetin e Connecticut-it dhe krejt Amerikën. E kishim lënë që javën e kaluar të bëheshim bashkë tek ai dhe prej aty, së bashku me të dhe zonjën e tij, Vjosa Lukaj, të drejtoheshim për në vilën e investitorit legjendar amerikan, Paul Tudor Jones, ku do të takoheshim edhe me Bleron Baraliun, aktivist shqiptaro-amerikan dhe një tregtar bonosh në Wall Street dhe gruan e tij, si dhe me dhjetëra miq të tjerë amerikanë kryesisht nga Wall Street. Do të shkonim në shtëpinë e multimiliarderit dhe tregtarit të famshëm të Wall Street-it, Jones, për të mbështetur fushatën për President të Amerikës të kandidatit demokrat Barack Obama. Senatori nga Illinois, i cili edhe pse vështrohej si një underdog nga kundërgaruesit e tij dukej se në skenën politike amerikane po sillte një rrymë plot ide të reja, progresive dhe unifikuese për Amerikën e shekullit të XXI-të dhe kjo më kishte tërhequr ta përcillja nga më afër dhe duke mësuar më shumë për të dhe pikëpamjet e tij politike, gradualisht të bëhesha simpatizues i tij.
Ç’është e vërteta, në fillim të fushatës për zgjedhjet presidenciale ‘08, kah shkurti i vitit 2007, unë dhe z. Baraliu, në disa mbledhje të Bordit të Drejtorëve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) dhe komunitetit tonë, kishim insistuar që komuniteti shqiptaro-amerikan të mos përsëriste gabimin e zgjedhjeve të vitit 2004, kurrreth 90% të kontributeve financiare të shqiptaro-amerikanëve ishin derdhur në fondet e kandidatit John Kerry, ndërsa fituesi i zgjedhjeve George W. Bush ishte neglizhuar. Unë dhe z. Baraliu kishim përkujtuar se do të duhej të luanim kartën që kishim përdorur në zgjedhjet e vitit 1996 kur gjysma e shqiptaro-amerikanëve kishin përkrahur kandidatin demokrat, Bill Clinton dhe gjysma tjetër kishin mbështetur kandidatin republikan, Bob Dole, sepse kështu do të ishim patjetër me fituesin. Mirëpo përkundër këmbënguljes sonë që të ishim më fleksibël lidhur me shpërndarjen e donacioneve politike për më shumë kandidatë se zonja Clinton, thirrjet tona ranë në veshë të shurdhër dhe unë dhe z. Baraliu vendosëm të përkrahnim Barack Obamën vetë dhe duke shfrytëzuar lidhjet tona në Wall Street. Kampi i shqiptaro-amerikanëve me në krye ish-kongresmenin Joe DioGuardi, që tradicionalisht përkrahin republikanët, ishte më pragmatik dhe kishte distribuar përkrahjen midis McCain dhe Guiliani-t, por as republikanët nuk ishin mbuluar siç duhej sepse kishin mbetur jashtë radiusit tonë Mike Huckabee dhe Mitt Romney.
Sido që të jetë, kur Vjosa, Richardi dhe unë arritëm afër vendbanimit të Jones, u habitëm kur pamë se rruga që çonte te shtëpia e tij ishte e bllokuar nga forca të mëdha policore dhe shërbimi sekret amerikan. Vetëm njerëzit që kishin paguar 2, 300 dollarë amerikanë për person dhe kishin ftesë për fond-mbledhjen lejoheshin të kalonin. Me dhjetëra Porsche, Rolls-Royce, Mercedesë, Masserati dhe Ferrari prisnin në radhë të hynin në kopshtin e madh para shtëpisë së investitorit me nam, që ka prapa saj një liqen artificial dhe vlerësohet të kushtojë rreth 25 milionë dollarë. Te porta na priti vetë i zoti i shtëpisë, Jones me të shoqen e tij. U përziem me masën e njerëzve dhe ngado shihje ndër njerëzit më me ndikim dhe më të pasur të Amerikës. Nja dy metra nga ku ishim ne dhe nja tre biznesmenë që investojnë në fushën e energjetikës pashë ish-super modelen Tyra Banks, pastaj ktheva kokën në të majtë dhe krejt afër nesh ishte një legjendë tjetër e botës së investimeve, multimiliarderi dhe filantropisti George Soros. Gjeta rastin e posaçëm dhe iu prezentova Sorosit. I thashë se doja ta falënderoja për gjithë ç’kishte bërë me Fondacionin për Shoqërinë e Hapur për shqiptarët dhe mbarë Ballkanin. Një bisedë interesante filloi mbi të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sorosi ishte jashtëzakonisht i informuar për vendet tona dhe potencoi se ligji, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe edukimi do të duhej të ishin prioritetet e shqiptarëve dhe përfundoi se sipas mendimit të tij Shqipëria kishte bërë një përparim viteve të fundit.
Ndërsa biseda po merrte formë më konkrete, një zhurmim i prajshëm kaloi nëpër hajatin e madh. Barack Obama kishte hyrë në vilë dhe po shtërngonte duart e njerëzve. Kur erdhi tek ne, i thamë që ishim tre shqiptarë dhe kishim vendosur ta mbështesnim, sepse besonim se ai do sillte ndryshimet e nevojshme për Amerikën dhe shpresonim se do të vazhdonte të mbështeste shqiptarët në Ballkan, të cilët ishin kombi më pro-amerikan në Europë.
Obama është një njeri shumë i sjellshëm dhe ka dëshirë të dëgjojë përpara se të flasë me vendosmëri. Ai na tha se politika e jashtme do të ishte shumë e rëndësishme për adminstratën e tij, kur të bëhej President dhe se ishte i kënaqur që po mësonte më shumë për shqiptarët. Në fund shtoi se mendonte se paqja ishte rruga e vetme për Ballkanin. Ne ia kthyem se shqiptarët ishin përcaktuar për paqen, porse për vallen e paqes nevojiten dy palë, ashtu siç duhen dy partnerë për të kërcyer tango. Ai u përgjigj se edhe të tjerët do ta kuptojnë se është në interesin e tyre të përkrahin paqen dhe zhvillimin. Biseda u krye dhe pas nja dhjetë minutash, Obama mbajti një fjalim të bukur për vizionin e tij të ri për Amerikën. Unë, Richardi dhe Bleroni, ndërkohë patëm rastin të takonim disa përfaqësues të fushatës së Obamas, të cilët na inkurajuan që të vazhdonim edukimin e tyre dhe të Obamas lidhur me problemet dhe të arriturat e shqiptarëve. Njëri nga ta na tha se stafi i fushatës është aq i ngarkuar nga rrëfimet e sa e sa grupeve etnike, saqë të mendohet se influenca e lobimit nuk luan rol, është fëmijërore. Atë ditë ne shqiptarët me miqtë tanë amerikanë mblodhëm rreth 30, 000 dollarë për Obaman, ndërsa së bashku me rreth 250 të pranishmit në shtëpinë e Paul Tudor Jones i dhamë Obamas afër 1 milion dollarë. Ndërsa kthehesha në shtëpi isha i bindur se Obama kishte çelur shtegun drejt Shtëpisë së Bardhë, sepse përpos përkrahjes së fuqishme të miliona amerikanëve të thjeshtë, që vinte në shuma simbolike 20, 50 dhe 100 dollarëshe përmes Internetit, ai, tashti, kishte edhe krahun e fuqishëm të financierëve dhe biznesmenëve më inteligjentë të Wall Street dhe vështirë që do të dilte diçka në rrugë ta ndalonte drejt Presidencës.
4 nëntor 2008
Zgjedhjet amerikane ’08,me 4 nëntor ishin ndër më masivet ndonjëherë sa i përket pjesëmarrjes së votuesve dhe Obama i fitoi ato. Kandidati i republikanëve, John McCain, një hero amerikan tashmë është pjesë e ndritur e historisë amerikane si një ndër ushtarët më të lavdishëm të Amerikës. McCain është një mik i pakompromis i shqiptarëve, por ai humbi. Është e vështirë të parashikohet që Amerika dhe Presdenti Obama të ndryshojnë qasjen e politikës së tyre përkundrejt shqiptarëve, mirëpo disa gjëra duhet të thuhen haptas. Edhe ne duhet të mësojmë të luajmë lojën dhe të rreshtohemi pas çdo kandidati që sjell të mira për Amerikën dhe ne. Jemi me fat që Obama ka selektuar Joe Biden si zëvendës të tij. Biden është një mbrojtës i shqiptarëve dhe me rastin e padisë ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Haradinaj, ai i kishte dërguar një letër Gjykatës së Hagës duke potencuar se Haradinaj ishte një luftëtar trim i lirisë. Historia tregoi se ai pati të drejtë. Sidoqoftë, duhet të ceket se lobet si ai serb dhe grek në Amerikë do të tentojnë gjithçka të influencojnë Presidentin Obama. Shefi i ri i Kabinetit të Obamas, kongresmeni nga Chicago, qytet ku serbo-amerikanët kanë një ndikim të fortë, Rahm Emanuel, ka qenë bashkë-kryetar i Grupit mbi Çështjet Serbe në Legjislativin 110 të Kongresit të SHBA-së. Aktivistja Lumi Hadri ka vite që është munduar të bindë KKSHA-në dhe komunitetin se Emanuel ishte njeri me influencë dhe shqiptaro-amerikanët do të duhej të takoheshin me të, për ta informuar atë mbi të vërtetën e shqiptarëve. Zonja Hadri nuk ka marrë përgjigje sepse shumë veprimtarë të gardës së vjetër të komunitetit nuk e kuptojnë së përkrahja politike në Amerikë nuk bëhet për interesa meskine dhe personale. Porse ka edhe asi që kanë punuar shkëlqyeshëm. Një shembull i mirë gjatë kësaj fushate ka qenë gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria”, e cila ka shtrënguar fushatën e Obamas të deklarohet me shkrim mbi pozicionin e tij ndaj shqiptarëve. Deklarata e Obamas dërguar “Illyria”-s ka qenë premtuese si për Shqipërinë ashtu dhe për Kosovën, por puna duhet të vazhdojë sepse politakanët, të ekspozuar para lloj-lloj narracionesh nga grupe që janë të “mençura” dhe manipuluese në parashtrimin e “të vërtetave” të tyre, nganjëherë nuk mund t’i njohin faktet nëse ato nuk prezantohen nga kundërpesha e “të vërtetave” të inxhinieruara nga lobimi. Shqiptarët dhe amerikanët do të vazhdojnë krenarë miqësinë sepse e kaluara jonë është e ndërtuar në themele të forta dhe Obama sigurisht do të mbajë anën e paqes dhe të drejtës, siç tha edhe vetë në debatin me zonjën Clinton,mbajtur në shkurt të vitit 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shtetin e Ohio-s, kur vendosmërishtdeklaroi se në rast se Kosova do të sulmohej dhe ai do të ishte President, ai do të mbronte Kosovën me çdo mjet.
•Autori është aktivist i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe menaxher investimesh në Ëall Street.