Leksionet e pamësuara të Europës
I. Është një këngë vajtimi, të cilën Olli Rehn, komisar për zgjerimin e Bashkimit Europian, e këndon shpeshherë në konferenca, në takime dhe në deklarime për media. Thelbi i vajtimit të tij, të cilin ai e reciton pothuaj me lotë për fytyre, është ky: 70 për qind e të rinjve serbë nuk kanë qenë kurrë në botën e jashtme, ata e njohin Perëndimin vetëm nga televizioni, rrjedhimisht edhe paragjykimet e tyre kundër vendeve perëndimore janë të mëdha në Serbi, sidomos në mesin e të rinjve, të cilët, sipas Olli Rehn-it, ndjehen të dënuar nga BE, e cila ende nuk i ka hequr vizat për qytetarët serbë. Shqetësimi i tij duket i arsyeshëm, por ai do të ishte më bindës sikur shqetësimin ta zgjeronte pak dhe të përmendte edhe të rinj të kombeve të tjera në Ballkan, sepse problemi i regjimit të ashpër të vizave nga ana e BE-së i godet të gjithë.
Në lidhje me këtë çështje në numrin më të ri të revistës gjermane “Internationale Politik” ka shkruar një ese autorja e njohur kroate Slavenka Drakuliq. (Pjesa më e madhe e këtij numri i kushtohet Ballkanit). Zonja Drakuliq nuk mund të akuzohet për qëndrime nacionaliste. Ajo gjatë regjimit të Franjo Tuxhmanit ishte shpallur tradhtare e kombit, “shtrigë” etj., sepse ishte ndër të parat intelektuale që kishte ngritur zërin kundër atmosferës së linçit që ishte krijuar në Zagreb kundër serbëve. Në esenë e saj të ndarë në dy pjesë, ajo shpjegon së pari arsyet pse nuk mund të shkojë në Beograd, përkundër faktit se për herë të fundit atje ka qenë para 17 vitesh dhe, me siguri, ky qytet ka ndryshuar, pra një vizitë do të ishte interesante, fundja vetë Goethe ka thënë: “Udhëtimi të edukon!” Megjithatë, Drakuliq ngurron të shkojë në Beograd, një qytet që për të është shndërruar në metaforë të luftës; në tekst autorja kroate thekson se të shkosh në Beograd do të thotë të ballafaqohesh me kolegë të profesionit, të cilët dikur vinin në Zagreb, debatonin, përcillnin ngjarjet kulturore – dhe me ardhjen e Slobodan Milosheviqit në pushtet kaluan në taborrin nacionalist. Një vizitë në Beograd, shkruan Drakuliq, do të ngjallte imazhe dhe ndjenja gjysmë të harruara. Për shembull do të përkujtonte fjalët e një gruaje myslimane nga Srebrenica, djali i së cilës ishte masakruar në duart e saj nga ana e një ushtari serb: “Jam detyruar të pij gjakun e birit tim”.
II. Në pjesën e dytë të esesë Drakuliq përshkruan një zyrtar të ri serb, i cili së fundi në një konferencë ndërkombëtare në Vjenë ankohej dhe protestonte kundër regjimit të vizave nga ana e BE-së. Me zë të zemëruar ai pyeste: Pse Europa dënon të rinjtë serbë, të cilët kur ka shpërthyer lufta as nuk kishin lindur? Drakuliq shkruan se, përkundër faktit që fjalimi i zyrtarit serb kishte për qëllim të ngjallte mirëkuptim, madje edhe dhembje në mesin e dëgjuesve, ajo, pra Drakuliq, thotë se nuk kishte ndjerë asnjë simpati. “Unë isha e zemëruar me zëmërimin e tij. Duke folur në emër të gjeneratës së re, ai thoshte se ajo nuk e meriton një trajtim të tillë nga Europa. Përfundimi i heshtur i deklarimeve të tij ishte: Meqë janë të rinj, ata duhet të jenë edhe të pafajshëm. Pikërisht kjo kinse pafajësi e të rinjve serbë më zemëronte mua”, shkruan Drakuliq. Sipas autores nuk është Europa ajo që është duke e dënuar gjeneratën e re të serbëve. Kjo gjeneratë, shkruan Drakuliq, hesht, nuk pyet çfarë ka ndodhur para lindjes së tyre, nuk interesohet se çfarë kanë bërë etërit e tyre, sepse kjo gjeneratë e serbëve beson se meqë është e re me moshë dhe nuk i ka përlyer duart, rrjedhimisht ka të drejtë të marrë vizë. Pse, pyet Drakuliq, kjo gjeneratë e serbëve nuk i pyet prindërit se cila është arsyeja që ata nuk marrin vizë? “Sigurisht të rinjtë serbë nuk mund të bëhen përgjegjës për të kaluarën. Por, në tërësinë e tyre ata janë përgjegjës për shkak të qëndrimit të tyre aktual kundrejt të kaluarës, sepse ajo është vendimtare për të ardhmen”, shkruan Drakuliq. Këta njerëz nuk janë kriminelë lufte, nuk janë vrasës, nuk janë fajtor për krime lufte. Por, sipas Drakuliq, ata duhet të pranojnë se kanë përkrahur një regjim vrastar, regjimin e Milosheviqit. Esenë e saj Drakuliq e përfundon me këtë konstatim: “Gjenerata e re në Serbinë e sotme është e izoluar, sepse ajo nuk bën atë që duhet të bëjë: të shtrojë pyetje”.
III. Qëndrimi i zonjës Drakuliq nuk e përjashton detyrimisht një artikull të shkurtër të botuar po ashtu në “Internationale Politik” nga Christoph Zöpel, i cili ka qenë ministër shteti në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë gjatë mandatit të Joschka Fischer-it. Zöpel thekson se antarësimi i shpejtë i vendeve të Ballkanit është në interesin e BE-së. Politika e zgjerimit të BE-së ka krijuar në Ballkan një pakicë shtetesh, të cilat janë të izoluara dhe pa orientim drejt Brukselit ato nuk janë fare të afta për veprim dhe nuk janë sovrane. Shumica e shteteve të Ballkanit, sipas Zöpel-it, nuk kanë monopol të pushtetit. Politikanët e zgjedhur mund të flasin, por nuk mund të marrin vendime. Shtetet ballafaqohen me pasiguri, pasoja të luftës, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bashkimi Europian argumenton se mospranimi i vendeve të Ballkanit ka të bëjë me krizën e BE-së dhe me aftësitë e kufizuara për integrimin e plotë të vendeve të reja. Zöpel, ndërkaq, thotë se kjo politikë e BE-së injoron faktet. “Në këto shtete (të Ballkanit, v.j.) jetojnë 24 milionë njerëz, pra më pak se 5 për qind e banorëve të BE-së. Territori i tyre është 264.425 kilometra katrorë, pra gati 6 për qind e hapësirës së BE-së. Po ashtu kemi të bëjmë me një enklavë brenda BE-së, domethënë njerëzit e atjeshëm nuk janë fqinj, por një pakicë”, shkruan Zöpel-i. Duke iu referuar përvojës gjermane ky ish-diplomat kritikon protektoratet ndërkombëtare në Bosnjë (tashmë 14 vjet) dhe në Kosovë (9 vjet). Sa për krahasim: protektorati i pasluftës në Gjermani kishte përfunduar pas 4 vitesh. Rrjedhimisht, sipas Zöpel-it, BE duhet në mënyrë drastike të përshpejtojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit dhe këtë e argumenton sidomos me interesat e sigurisë, që BE i ka në Ballkan dhe në hapësirën e Adriatikut jugor.
IV. Një bilanc negativ i angazhimit të BE-së në Ballkan, ndërkaq, e ka shkruar studiuesja e re bullgare Vesela Çerneva. Ajo thekson se, përkundër faktit që në ish-Jugosllavi është ndërprerë gjakderdhja, rajoni ende nuk “prodhon” lajme pozitive: “Ekonomia nuk po zhvillohet, strukturat e pushtetit kontrollohen prej politikanëve nacionalistë, ndërsa rivalitetet etnike ende insturmentalizohen në politikën e përditshme. Në vend të europeizimit të Ballkanit, ne po përjetojmë ballkanizimin e Europës, ku politika përcakohet nga mendimet nacionaliste dhe vizioni i një projekti të përbashkët europian mposhtet nga frika mbi përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe të ardhmes sociale të Europës“.
Autorja përkujton se rajoni i Ballkanit për çdo vit nga BE vetëm në kuadër të mbështetjes para anëtarësimit (“Instrument for Pre-Accession Assistance”) merr 800 milionë euro, por kjo shumë nuk arrin të ndryshojë shumë në ngritjen e efikasitetit të administratës dhe krijimit të një shtrese zyrtarësh të pakorruptuar. Sipas Çerneva BE në Ballkan rrezikon të shndërrohet në fuqi koloniale. Sa i përket Kosovës autorja bullgare mendon se, përkundër shpalljes së pavarësisë, në statusin e këtij vendi nuk ka ndryshuar asgjë thelbësisht. Në numrin e veçantë të revistës gjermane për politikë të jashtme “Internationale Politik” mendimet e tyre për Ballkanin i kanë shprehur edhe intelektualë si Edward P. Joseph dhe Daniel Hamilton nga Universiteti John Hopkins në Washington dhe politikanë si Goran Svilanoviq dhe Oliver Ivanoviq. Ndonjë autor shqiptar, ndërkaq, mund të kërkohet kot në këtë numër të kësaj reviste.