E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësonjëtorja e parë shqipe e Myzeqesë

Një ngjarje e madhe sipas Naun Kules

Një libër që i bën jehonë një ngjarjeje mbarëkombëtare shumë të rëndësishme; asaj të shkollimit shqip në Shqipëri, është vënë së fundi në qarkullim (Shtëpia botuese “Globus-R”) në përvjetorin e njëqindtë të hapjes së shkollës së parë shqipe në krahinën e Myzeqesë (Libofshë, më 1908).

Është një libër me studime, esse dhe dokumente që për nga pasuria e madhe faktologjike, kjo vepër e Naun Kules është një minienciklopedi me lëndë të grumbulluar e përzgjedhur për një kohë të gjatë. Është përgatitur me punë të madhe për nga pasuria e të dhenave, me skrupulozitet për nga saktësia dhe vërtetësia e fakteve dhe me shumë dashuri për nga përhirimi i vlerave. Burimet e shumta bibliografike dhe parashtrimi i tyre me gjuhën e qartë dhe fjalën e zgjedhur, ia shtojnë vlerat këtij libri si burim referimi për shkollarët e sotëm, edhe për të gjithë ata që interesohen përzhvillimin e historisë së arsimit dhe të kulturës në Shqipëri dhe posaçërisht në trevën e Myzeqesë. Në tërë faqet e librit të studiuesit Kule, ravijëzohen dukuritë më pozitive të dashurisë dhe përpjekjeve të myzeqareve, kudo që janë ndodhur dikur dhe gjithandej,për zhvillimin kulturor dhe asisoj, për ngritjen dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare.

Sot, në mendim të lirë dhe arkiva të hapura, Naun Kule pasuron temën të cilës i është përkushtuar për vite, për shumë e shumë fakte dhe ngjarje të cilat i la në hije njerëzit dhe koha që shkoi me paragjykimet e njohura.

Me librin që kemi në dorë dhe me shtatë librat e botuar gjer më tani, me artikujt e shumtë studimorë dhe publicistikë, puna krijuese e Kules vjen duke u rritur në trajektoren e saj, pasi shihet qartë se autori është gjurmues aktiv në tematikën dhe punimet që iinteresojnë. Kule është kërkues i vëmendshëm dhe njimend modern në ligjërimin e lëndës; larg frazeologjive të zgjatura e të stërzgjatura që veçse e lodhin lexuesin.

Përveç lëndës që përthith vazhdimisht në kërkime dhe studime të ngulta, vetë punëtorshumëvjeçar i arsimit dhekulturës në Myzeqe dhe më tej në kryeqytet, autori lidhet me heronjtë e tij si në fushë të jetëshkrimit të punës po ashtu dhe në fushë të ideve që përshkojnë faqet e bollshme të këtij libri të çmuar.

Edhe pse ka goxha kohë larg vendlindjes, Libofshës dhe Myzeqesë, ai është gjithnjë i pranishëm mu aty; për njohjen dhe publikimin e pasurive të shumta etnokulturore të trevës dhe gjithë Shqipërisë. Monografia që sapo kemi në dorë, është shkruar jo vetëm me njohje shkencore të lëndës që trajton, por edhe me një gjuhë të punuar e të rrjedhshme, me një stil të gjallë, tërheqës dhe tepër origjinal, të ngjeshur në ide dhe të këndshëm në ligjërim që e përzgjat dhe ngulit kureshtjen e lexuesit.

Është meritë dhe në tërë krijimtarinë e këtij autori, pasuria e leksikut me fjalën ezgjedhur e të gjetur. Me nuhatjen e tij të mprehtë, ai di ta qëmtojë fjalën e qëlluar të kuvendimit shqip, nëpër leximet e tij të shumta apo drejtpërdrejt nga goja e popullit, dhe, pasi e grumbullon atë në “magjen krijuese”, e derdh me mjeshtëri e drejtpërdrejt atje dhe ashtu si duhet. Kjo doemos që përbën një kontribut të çmuar dhe të veçantë në letrat shqipe edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, e cila kërkon studime si dukuri shumë e rëndësishme e pasurimit të shqipes së shkruar.

Thënë përmbledhtas, krijuesi dhe studiuesi Naun Kule hyn me lëndën e tij të çmuar humanitare hyn në bibliotekat tona me energjinë e diturisë, pa hiç politikë, por vetëm me kulturë, pa llogaritur punën kërkimore ndër vite, në arkiva e biblioteka, në Lushnje a Fier, në Divjakë e Apolloni, në Ardenicë e Karavasta, në Babunjë e Zharrëz. Gjithnjë kërkon dhe zbulon vlera të traditës dhe bashkëkohore duke tërhequr e nxitur kolegë dhe bashkëpunëtorë në fushë të studimeve, hulumtimit dhe publikimit të vlerave të fjetura e të gjalla, të ditës dhe historisë, duke iu gëzuar dhe vlerësuar me te gjitha mundësitë krijimet, botimet dhe veprimtaritë e shokëve, që kumtojnë qoftë edhe një figurë a vlerë të vetme, të kombit apo të trevës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›