Nikolas Anelka i jep kryesimin Çelsit
Çelsi mori sërish kryesimin e Premier Ligës angleze pas fitores 2 0 ndaj Blekbërnit në stadiumin "Ewood Park". Nikolas Anelka ishte heroi i ndeshjes për miqtë, teksa shënoi dy herë për skuadrën e Skolarit, e cila tani udhëheq ligën angleze me diferencë golash nga Liverpuli. Xhon Terri i kishte bërë thirrje skuadrës që të tregonte më shumë grintë pas humbjes 3 - 1 në Ligën e Kampionëve nga Roma të mërkurën e kaluar. Dhe përgjigjja nuk vonoi, me gjithë shiun që e kishte rënduar fushën. Blutë e Londrës ishin të rrezikshëm që në fillim të ndeshjes dhe Pol Robinson u desh të ndërhynte dy herë për të shpëtuar portën nga gjuajtjet e Anelkasë dhe Dekos. Çelsi kaloi në avantazh në minutën e 39 të, kur Hose Bosingva lëshoi një silur drejt portës së vendëse, por topi, që pritej të dilte jashtë, preku gjurin e Anelkasë dhe përfundoi në rrjetë. Blekbërni futi në lojë Robi Faulerin për t'i dhënë më shumë fuqi sulmit, por në minutën e 67 të e panë veten në disavantazh edhe më të thellë, pasi Anelka mposht sërish portierin Robinson pas një pasimi të Lampardit. Anelkaja mund të kishte shënuar golin e tij të tretë në fund të ndeshjes, por edhe 2 0 i mjaftoi Çelsit për të mbajtur rekordin e ndeshjeve të fituara jashtë fushës së vet. Skuadra e Skolarit rimerr kreun në datëlindjen e 60 të të trajnerit Luiz Felipe Skolari.
Premier Ligë, java e 12-të
Dje
Blekbërn - Çelsi 0-2
Aston Vila - Midëllsbrou 1-2
Man.Siti - Totenhem 1-2
Fulhem - Njukasëll 2-1
Të shtunën
Arsenal - Mançester U 2-1
Uigan - Stoke 0-0
Hull - Bolton 0-1
Sandërlend - Portsmuth 1-2
Uest Hem - Everton 1-3
Liverpul - Uest Bromuiç 3-0