Bajerni sfidon Junajtid, Barça përballë Arsenalit
Barcelona, kampione në fuqi e Europës, do të përballet në çerekfinalet e Champions League me anglezët e Arsenalit, skuadër të cilën e kanë mposhtur në finalen e vitit 2006. Ndërkohë, goglat në Nion të Zvicrës kanë rezervuar një sfidë mes gjigantësh, ku Mançester Junajtid do të ndeshet me Bajernin e Mynihut. Shorti i lirë, i hedhur dje, ka vendosur përballë njëra-tjetrës Bordonë dhe Lionin, në një derbi francez në aktivitetin më prestigjioz për klube. I buzëqeshur ka dalë vetëm Interi: kampionët e Italisë do të luajnë me skuadrën më të dobët në letër, rusëve të CSKA-së së Moskës. Nëse arrijnë të kualifikohen në gjysmëfinale, zikaltërit e drejtuar nga Zhoze Murinjo do të luajnë kundër fitueses së çiftit Arsenal-Barça.
Sfidat e çerekfinaleve, sjellin natyrshëm kujtime të edicioneve të kaluara: Barcelona ka mposhtur 2-1 “topçinjtë” e Arsen Venger në vitin 2006, ndërsa përplasja Junajtid-Bajern ringjall kujtimet e finales së vitit 1999, të fituar nga “Djajtë e Kuq” pas dy golave të realizuar në kohën shtesë. Katalanët dhe Arsenali janë dy prej skuadrave që luajnë futbollin më të bukur në Europë, por sfida ndërmjet tyre ka mërzitur sulmuesin Tierri Henri, i cili do të luajë për herë të parë kundër ish-skuadrës së tij, që prej transferimit në La Liga. Spanjollët e fituan trofeun me “veshë të gjata” duke mposhtur 2-0 Mançester Junajtidin në finalen e 2009-s në Romë dhe tashmë kanë shansin që të konfirmohen më 22 maj në Madrid. Barça do të luajë në “Emirates Stadium” më 31 mars, ndërsa anglezët kthejnë vizitën në “Kamp Nou” më 6 prill. “E respektojmë Barcelonën. Edhe pse nuk jemi favoritë në këtë sfidë, mendoj se duhet të përqendrohemi vetëm te kapaciteti ynë dhe jo te kundërshtarët”, deklaroi trajneri Arsen Venger. Në anën tjetër, drejtori sportiv i “blaugranave”, çiki Begirishtajn tha: “Ky është dueli më spektakolar i çerekfinaleve, në aspektin e lojës. Të dyja skuadrat praktikojnë futbollin e hapur dhe mendoj se do të jetë një duel i vërtetë, për të përcaktuar se cila do ta qarkullojë më shumë topin”.
Junajtid ose Bajerni do të luajnë në gjysmëfinale kundër fitueses së “derbit” Lion-Bordo. Skuadra e Ferguson viziton “Alianz Arenan” më 30 mars, ndërsa takimi i kthimit luhet në “Olld Traford” më 7 prill. Anglezët dhe gjermanët kanë luajtur shtatë herë në këtë kompeticion: humbja e vetme e bavarezëve, është ajo e finales së vitit 1999. Bajerni, që eliminoi Mançesterin në çerekfinalet e vitit 2001, kur triumfuan në Champions, kanë regjistruar edhe dy fitore dhe katër barazime. Interi, që ka eliminuar çelsin me rezultatin e përgjithshëm 3-1, shihet si favorite për të vazhduar ëndrrën europiane. Kjo edhe për faktin se CSKA-ja e Moskës, pavarësisht triumfit të vitit 2005 në Kupën UEFA, nuk ka eksperiencën e mjaftueshme në Champions: arritja në çerekfinale, është rezultati më i mirë i tyre. Avantazhi i vetëm i rusëve është se luajnë në shtëpi në takimin e kthimit.
#