E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni shkarkoi trajnerin Van Gal pas barazimit 1-1 ne Nyremberg

Frika e madhe se mos mbetet pa futbollin e Champions League bëri që klubi i madh gjerman të largonte një trajner të madh.

Luis Van Gal nuk është më trajner i Bajernit të Mynihut, vendim që u mor sot në mëngjes nga klubi bavarez, me unanimitet të plotë nga drejtuesit.

Ishte barazimi 1-1 i së shtunës në fushën e Nyrembergut që nxiti këtë reagim të shpejtë të Bajernit dhe arsyeja është kapitale: Liga e Kampionëve.

Fitorja e Hanoverit ndaj Maincit bëri që kampionët në fuqi të zbresin në vend të katërt në renditje, pozicion që nëse mbetet i pandryshuar deri në fund të kampionatit, i lë jashtë Ligës së Kampionëve, një synim minimal për një gjigand si Bajerni.

Në krye të skuadrës, deri në fund të sezonit do të jetë ndihmës i parë i Van Galit, holandezi tjetër Andris Jonker, që do të ketë në krah Herman Gerland.

Jup Hajnkes, trajneri i Leverkusenit do të vijë si trajner i bavarezëve për sezonin e ardhshëm, por më parë ai do të ndeshet javën e ardhshme me Bajernin në “Alianc Arena”, një duel masiv për Ligën e Kampionëve, por edhe për titullin, sepse Leverkusen ende pretendon.

Ndryshe nga sezoni i kaluar, ky i tanishmi doli i pasuksesshëm për strategun holandez, pasi Bajerni u eleminua nga Interi në të tetat e finaleve të Ligës së Kampionëve, në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë nga Shalke dhe tani rrezikon të mbetet jashtë tre vendeve të para në Bundesligë.

Vjet, klubi më i madh gjerman, fitoi titullin dhe kupën si dhe doli në finale të Ligës së Kampionëve ku u mund 0-2 nga Interi.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›