Geely sjell automjetin më të lirë në botë
Prodhuesi kinez i automjeteve Geely planifikon të rrëmbejë titullin e krijuesit të automjetit më të lirë në botë, të bazuar në konceptin, i cili është paraqitur zyrtarisht në Pekin.
Vlerësohet se ai do të kushtojë rreth 1.760 dhe 2.346 euro, duke lënë pas modelin më të lirë deri tani, Tata Nano, çmimi aktual i të cilit është 2.933 euro. Nga Geely, i cili kohë më parë ka blerë kompaninë Volvo nga Fordi, po ashtu pohojnë se IG, respektivisht Intelligent Geely, do të ketë kualitet më të mirë se Nano. Edhe pse është 185 milimetra më i gjatë se Toyota iQ dhe ka 100 milimetra largësi më të madhe në mes të boshteve, ai në fakt ka hapësirë shumë më të kufizuar të pasme. Ekzistojnë gjasa të mëdha që versioni elektrik i IG të shitet edhe në Europë e SHBA. Geely tanimë shet automjetet e veta në Rusi dhe Europën Lindore, prandaj planifikon të zgjerohet edhe në tregje të tjera.
"Koncepti ka hasur në reagime shumë pozitive, e ne na mbetet të zgjerojmë rrjetin e shitjes para se ai të dalë në shitje në vitin 2012”, ka thënë zëdhënësi i kompanisë. Versionin kinez të modelit IG do ta vendosë në lëvizje motori me benzinë dhe 70 kuaj fuqi.
Audi R8 GT, automjeti modern që kushton 193 000 euro
Vetëm 333 blerës do të kenë mundësinë të kenë automjetin e mrekullueshëm të Audit të quajtur “R8 GT”. Ekspertët në Audi kanë arritur të lehtësojnë R8 V10 në formën standarde për njëqind kilogramë. Kjo nuk ka qenë punë e lehtë, kur merret parasysh se modeli R8 në pjesën më të madhe të tij është i përpunuar nga alumini si dhe është dashur të ruhen standardet e larta të sigurisë. Në Audi, për të arritur këtë kanë vendosur të zvogëlojnë xhamin e përparmë, të pasmin ta zëvendësojnë me material plastik, ndërsa shumicën e pjesëve të aluminta të karrocerisë t’i zëvendësojë me fije karbonike. Motori 5.2-litërsh V10 me disa intervenime në elektronikë është përforcuar nga 525 në 560 kuaj fuqi e kjo fuqi transmetohet në katër boshtet me anë të marshit gjysmë-automatik R-Tronic. Ky model do të shitet në gjithsej 333 njësi dhe do të prodhohet me çmim prej 193.000 eurosh pa tatime e shtesa të tjera.
8 Maj 2010