Si të dobësohesh me dietat e vip-ave
Katër prej femrave më të njohura në botë rrëfejnë se cili është sekreti i dietave të dobësimit që ato përdorin për të rënë nga pesha. Bëhet fjalë për dieta që mund t’i përdori cilado prej femrave që dëshiron të bjerë nga pesha. Zbuloni se cili është sekreti i elegancës së pandryshueshme të Victoria Beckhamit dhe trupit të tonifikuar të Leona Lewis.
Leona Lewis: Dietë e detoksifikimit
Leona Lewis është dobësuar, përsëri ka një trup me forma të tonifikuara. Sekreti i kësaj rënieje të shëndetshme është dieta e detoksifikimit. Kjo lloj diete bazohet në konsumimin e perimeve dhe ushqimeve bio. Gjithashtu dieta përmban shumë ujë. Uji është i domosdoshëm, sepse ndihmon në nxjerrjen jashtë të toksinave. Beteja më e madhe e këngëtares ka qenë me çokollatën, një ushqim të cilit Leona nuk i reziston dot. Njëkohësisht, Leona përfitoi nga moti i mirë, duke bërë shëtitje të gjata në ajër të pastër dhe duke u marrë me hipizëm. Kombinimi më i mirë i dietës me ushtrimet fizike rezultoi i suksesshëm duke e ndihmuar këngëtaren të shkojë nga masa 14 në masën 10.
Victoria Beckham: Dietë për modele
Victoria ka hequr dorë nga dieta me bazë alga deti dhe fasule. Dieta e saj e fundit bazohet në konsumimin e manaferrave dhe sushi (gatim japonez) ndonjëherë duke e shoqëruar edhe me ndonjë gotë vere. Zonja Beckham ndihet e detyruar të ruaj elegancën për hir të linjës së saj të veshjeve. Ajo konsiderohet ambasadorja e modës në botë, ndaj duhet të ketë fizikun e një modeleje që çdo veshje duhet ti rrijë bukur. Por dietologët mendojnë se është e pamundur të konsumosh vetëm këto lloj ushqimesh, ndaj hamendësojnë se Victoria në dietën e saj ka rritur sasinë e antioksidantëve dhe të vajit të peshkut. Dietat me bazë peshku dhe fryti janë gjithmonë efikase. Por në këto lloj dietash është e domosdoshme të përfshihen perimet dhe drithërat.
Cindy Crawford: Dietë për nënat seksi
Mendohet se pasi modelet dalin në pension, u japin fund edhe sakrificave për t’u kujdesur për peshën. Por ish-modelja 44-vjeçare Cindy Crawford, me pamjen prej një nene seksi, vërteton të kundërtën: 80% të kohës njerëzit duhet të përpiqen të duken 80% mirë. Të gjithë e lemë pas dore shëndetin, e rëndësishme është të mos e bëjmë në pjesën më të madhe të kohës. Dieta e saj përmban drithëra dhe mana të zeza për mëngjes, sallatë dhe pulë ose karkaleca deti për drekë, peshk dhe perime për darkë. Por Cindy i lejon vetes edhe pak çokollatë në mes të vakteve. “Kam një vajzë dhe dua të jem një shembull i mirë për të, jo ti mësoj që nuk mund të ha kurrë një ëmbëlsirë”,- thotë Cindy Crawford.
Beyonce Knowles: Dieta e limonadës
Pamja super elegante e Beyonce në filmin “Dream girls” është rezultat i dietës “Master Cleanse” ose “dieta e limonadës”. Kjo dietë synon pastrimin, detoksifikimin dhe humbjen në peshë. “Dietologu më këshilloi këtë dietë për të humbur shpejtë në peshë, por nuk do t’ja rekomandoja askujt nëse nuk do t’i duhej për një rol filmik dhe nëse nuk do të kishte ndihmën e një specialisti ushqimi. Ka disa mënyra për të humbur në peshë dhe kjo është nga më të shpejtat, por dhe nga më të lodhshmet”,- shprehet Beyonce. “Master Cleanse”, si të gjitha dietat e shpejta ndikon në çrregullimin e metabolizmit, sepse trupi, përveçse djeg rezervat e dhjamit të akumuluara, djeg edhe masa të konsiderueshme të muskujve, duke ulur ndjeshëm shpejtësinë e metabolizmit. Kjo është edhe arsyeja që kur përfundon dieta, trupi është më i prirur për të rifituar shpejt kilogramët e humbur.
8 Maj 2010