E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajko: “Ndeshja me e dobet e Shqiperise”Ish-trajneri i Kombëtares: “Ky është një futboll mashtrues e hipokrit dhe s’ka të bëjë fare me vlerat e futbollit shqiptar”

Ish-trajneri i Kombëtares, Neptun Bajko (15 ndeshje me përfaqësuesen) iu bashkua korit të kritikëve në lidhje me paraqitjen e varfër të Shqipërisë kundër modestëve të Maltës. Ish-trajneri i njohur i Partizanit gjatë një interviste të gjatë dhënë  televizionit prestigjioz “Vizion Plus”

“Jam munduar, - tha Bajko për gazetarin e njohur sportiv, Andi Nuraj, - që në takimet që luan ekipi përfaqësues të shoh aspektet e mira të skuadrës, dhe po ashtu dhe drejtimin profesional të stafit drejtues e në veçanti të trajnerit”.

“Megjithë mundësinë që me jepet për t’u treguar solidar me ekipin përfaqësues, dua të theksoj se ka qenë një nga ndeshjet më të dobëta të Kombëtares në të gjitha aspektet, duke përfshirë anën profesionale e fokusin tekniko-taktik”, -theksoi Bajko, i cili dha dorëheqjen pas një humbje 0-3 me Portugalinë në “Qemal Stafa”, një takim që më pas ka qenë në qendër të medias si një ndeshje me rezultat të trukuar.

“Ekipi manifestoi mjaft dobësi. Por, ajo që është më e rëndësishmja dhe më thelbësorja ka të bëjë me moralin e aspektin profesional të një ekipi përfaqësues. Në ndeshjen me Maltën nuk shpalosi asgjë pozitive”, - tha Bajko, i pari trajner i përfaqësueses shqiptare që është ndeshur me Maltën, një miqësore e humbur 2-1, në gusht të vitit 1995.

Barazimi me Maltën la një shije të hidhur dyshuese në ambientin futbolldashës shqiptar. “Mendoj se të vërtetat e paverifikueshme nuk më takojnë dhe nuk dëshiroj t’i hyj një analize të tillë, por të drejtën e kam. Kanë gabuar në të gjitha aspektet. Aq më tepër se ekipi Kombëtar krijoi një iluzion të rremë e mashtrues e zhgënjyes në të njëjtën kohë. Kjo dëmton shumë imazhin e futbollit dhe përfaqësueses”, - tha Bajko, i cili njihet gjerësisht për opinionin e tij kritik.

“Trajneri (Han) mund të tregohet i kënaqur me një barazim, por ky barazim, sipas meje, nuk ka asnjë vlerë, pasi tregoi dhe anën tjetër të medaljes së në futbollin shqiptar nuk po punohet me një sistem dhe strategji të qartë. Nuk po veprohet e drejtohet në mënyrë profesionale. Gjë që më jep të drejtën edhe të dyshoj”, - tha Bajko, i cili ka fituar 2 nga 11 ndeshjet zyrtare në drejtimin e Shqipërisë (2 barazime, 7 humbje).

Bajko foli dhe për trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë në 7 vitet e fundit. “Mua më duket se me përzgjedhjen e një trajneri italian (Dosena), gjerman (Brigel), kroat (Bariç) apo holandez (Han), presidenti Duka mund të ketë menduar se do t’i shtojë vlerat dhe njohjen futbollit tonë. Unë mendoj se pikërisht këtu kanë qenë dhe gabimet e tij më të mëdha. Ose diçka tjetër fshihet me marrjen dhe vendosjen në bankinë të këtyre trajnerëve pranë këtij ekipi përfaqësues.

"Të mos harrojmë se ky ekip kushton tani miliona euro apo dollarë dhe nuk ka të bëjë më me kohën e mëparshme, kur ekipi përfaqësues ishte më të vërtetë në vështirësi dhe nuk paraqitej ashtu si duhet, por në vlerat kombëtare kanë dhënë më të mirën. Kanë bërë lojë të ndershme, kanë dhënë maksimumin. Intervistat e dhënë para ndeshjes, duke e krahasuar me rezultatin që u morr kanë krijuar një klime të zhgënjyese në ambientin futbolldashës. Unë them se ky është një futboll mashtrues e hipokrit dhe s’ka të bëjë fare me vlerat e futbollit shqiptar”.

Bajko, një analist i njohur i futbollit shqiptar, foli edhe për gabimet e bëra nga trajneri Han gjatë ndeshjes, përfshirë edhe euforinë.

“Mendoj se para së gjithash ekipi Kombëtar nuk kishte moral për ta fituar ndeshjen. Nuk luajti me fytyrë të hapur për fitimin e lojës, por aty ishte një lloj truku, që në përfundim t ndeshjes u bë i qartë për të gjithë. Këtë le ta zbërthejnë vetë ata. Por, përderisa mungojnë analizat dhe ekipi Kombëtar nuk përfshihet në një bashkëpunim me specialistët, atëherë aty mbetet një diktaturë futbollistike që nuk i shërben askujt”, - përfundoi intervistën e tij për “Vizion Plus”, ish-trajneri i Kombëtares, Neptun Bajko.

SKEDA SI TRAJNER I KOMBETARES E NEPTUN BAJKOS
Periudha: 07.09.1994-09.10.1996
Ndeshje zyrtare:     11, 2F, 2B, 7H
Në total:             15, 3F, 3B, 9H

E Enjte, 12 Shkurt 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›