Bajko: Një ndeshje ku vendosi taktika dhe fitoi Maqedonia

Albania-Sport - Ish-trajneri i Kombëtares kuqezi, Neptun Bajko, e ka cilësuar si të merituar fitoren e skuadrës së Maqedonisë në miqësoren që sapo përfundoi, ku fqinjët lindorë fituan me golin e vetëm të Risticit. "Ajo që vendosi në këtë takim ishte disiplina taktike, ku maqedonasit shkëlqyen, ndërkohë që, sidomos në pjesën e parë, Shqipëria vuajti në këtë drejtim dhe kjo vendosi fatin e ndeshjes", - ka deklaruar Bajko, duke folur për mikrofonat e TVSH-së.
"Ekipi ynë Kombëtar duhet të ndryshojë mënyrën e lojës, duke u mbrojtur dhe duke pritur, duke synuar pastaj ta godasim kundërshtarin me kundërsulme, ashtu sic bëri dhe gjeti golin edhe Maqedonia, - vijoi më tej ish-trajneri i mirënjohur i Kombëtares. – Më bëri përshtypje mungesa e disiplinës nga ana e lojtarëve të caktuar dhe një individualizëm i tepruar i Berishës dhe kjo ishte një nga arsyet e humbjes sonë sot në "Loro Borici". Gjithsesi, mendoj se Baric ka shumë punë për të bërë deri në ndeshjen me Slloveninë."