Bajko e la Partizanin 0-0, Lika e nis po 0-0

Iku Bajko me 0-0, dhe e nis Lika po 0-0. Partizani regjistroi barazimin e dytë pa gola, duke dëshmuar shterpësi në sulm, kur ka tre ndeshje pa shënuar në kryeqytet, ndërsa Redi Jupi vazhdoi serinë e rezultateve pozitive me dy ndeshje të përfunduara me pikë në drejtimin e pankinës dinamovite. Derbi Dinamo-Partizani, i 125-ti midis tyre nga kampionati i vitit 1950, ishte ndoshta më i varfëri që dy ekipet me më shumë tituj pas rekordemenes Tirana, kanë zhvilluar midis tyre. Një ndeshje pa shumë emocione dhe në një stadium të zbrazët. Bylykbashi, Leandro, Dhëmbi, Muzaka nuk mundën të prodhojnë golin e dëshiruar. Në minutën e 35-të, Abilaliaj humbi një rast ideal, por meritë pati dhe portieri Lika. Dinamo, e udhëhequr nga trajneri-lojtar, Redi Jupi, duke shtuar edhe këtu dëmtimin e kapitenit të Dinamos, Ilion Lika. Muzaka goditi pasaktësisht shumë topa. Në pjesën e dytë në vend të portierit të Dinamos dhe Kombtares, Ilion Lika u fut Gjika. Mbrojtësi Ndreka i ardhur në ndihmë të sulmit rrezikoi portën dinamovite. Dinamo u ndëshkua me 3 kartona të verdhë brenda pak minutash, Diop, Ishka, Gudjabi dhe trajneri-lojtar Redi Jupi. Tekniku i Partizanit, Lika hodhi në pjesën e dytë, sulmuesin Gerhard Progri në vend të Hallacit. Partizani sulmoi më shumë, por ishte i paqartë para portës, duke mos finalizuar. Sulmuesi i Dinams, Gudjabi ishte në një tjetër ditë të errët, dhe Ilir Qorri nuk mundi të bënte më shumë. Progri pati një rast të mirë në 71-të kur goditi me kokë portën e mbrojtur nga Gjika. Lika bën ndërrimin e dytë, hyn sulmuesi brazilain Xhunjor në vend të Abilaliaj. Dinamo në njëzet minutat e fundit të pjeës së dytë e gjallëroi lojën e saj, duke iu kundërpërgjigjur sulmueve të Partizanit. Jupi nuk mundi të tolerojë lojën e dobët të sulmuesit senegalez dhe ndërroi Gudjabin me të riun Nertil Feraj. Edhe Leandro i Partizanit u ndëshkua me karton të verdhë për kundërshtim ndaj gjyqtarit Sokol Jareci. Në përfumdim të 90 minutave që përfunduan me rezultatin e bardhë 0-0, dy ekipet u kënaqën me barazimin, ndërsa trajnerët vlerësuan ekipet kundërshtare. Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, që arriti të marrë pikën e parë nën drejtimin e tij të parë me të kuqtë, pohoi pas ndeshjesh: "Ishim përballë Dinamos, e kërkuam fitoren por nuk e arritëm. Futbollistët dhanë maksimumnin. Jam i kënaqur me barazimin. Lojtarët shfaqën momente të mira. Synimet tona janë të mbarojmë sezonin me një trofe". Në javën e 11-të, e fundit e kësaj faze, Partizani pret në shtëpi Flamurtarin, ndërsa Dinamo do të udhëtojë në Fier për t'u ndeshur me Apoloninë që arriti një fitore të bujshme në Shkodër.
DINAMO - PARTIZANI 0-0
Gjyqtarë: Sokol Jareci, Fatmir Lamaj, Fatmir Elezi
Stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa", Tiranë
BILANCI NDERMJET TYRE: 125 ndeshje; 37 fitore Dinamo, 45 barazime, 43 fitore Partizani. Golat: 135-149