E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajko, mes optimizmit të fitores dhe kujdesit për sfidat që e presin

Altin B. Kodra

Ata që e njohin mirë, e dinë që, për vetë profilin dhe dimensionet e tij në botën e futbollit, Neptun Bajko është një njeri që nuk para kënaqet lehtësisht. Në orët deri në zhvillimin e ndeshjes së javës së parë, asaj midis Partizanit të tij dhe Apolonisë, ai ishte në ankth, për njëmijë e një arsye, por mbi të gjitha, për të marrë atë fitore aq të nevojshme për moralin, vecanërisht në këtë premierë të sezonit dhe kundër një skuadre që rikthehej pas disa vitesh mungesë në Kategorinë Superiore. "Më mjafton edhe një gol i vetëm", - pati thënë ai në një bisedë që pata me të para sfidës me Apoloninë.
Dhe, pas fitores 3-2 që të kuqtë korrën përballë fierakëve, Bajko merr frymë më i cliruar, duke vlerësuar mobilizimin e skuadrës. "Të jem i sinqertë, përpara ndeshjes, kisha rezerva, si përsa i përket formës fizike, ashtu edhe motivimit të skuadrës për këtë përballje të parë të sezonit, - pohoi dje ish-trajneri i Kombëtares, që aktualisht drejton, për të disatën herë Partizanin, duke folur ekskluzivisht për gazetën "Standard". - Por kam mbetur shumë i kënaqur nga shpirti dhe mobilizimi që tregoi e gjithë skuadra në këtë takim, si ata që luajtën mirë, ashtu edhe ata që nuk dhanë atë që pritej."
Bajko preferon të mos vecojë emra përsa i përket asaj që nuk i pëlqeu, duke theksuar se, edhe pse kishte pritur më shumë nga sektori i mesfushës, nuk mund t'i fajësojë ata, për vetë kohën e pamjaftueshme që kanë patur për t'u stërvitur, si dhe për shkak të përgjumjes tradicionale që vërehet zakonisht te skuadrat në ndeshjet e para të sezonit. "Ajo që ka rëndësi të padiskutueshme, është se morëm pikët e plota nga ndeshja jonë e parë, - vijon më tej trajneri i Partizanit, duke folur për "Standard". - Goli që në fillim na ndihmoi mjaft dhe, kur kryesonim 2-0, mund të kishim shënuar edhe gola të tjerë, për ta mbyllur ndeshjen bindshëm në favorin tonë."
Sipas Bajkos, kjo paaftësi për ta vulosur fatin e ndeshjes, desh i kushtoi të kuqve, sepse i dha mundësi Apolonisë të shënonte dhe të rrezikonte edhe për më tepër. "Do të kishte qenë ideale të kishim fituar pastër dhe na duhet të punojmë përsa i përket korrigjimit të atyre gabimeve që cuan në pësimin e atyre dy golave që praktikisht na rrezikuan fitoren, - thekson ai. - Gjithsesi, në ndeshjen e parë, pranohen edhe këto të meta, përsa kohë që ne arrijmë të fitojmë." Bajko është goditur që në ndeshjen e parë, pasi golashënuesit Muzaka e Babamusta, u dëmtuan kundër Apolonisë.
Është e sigurt se Muzaka do të mungojë në sfidën e javës së dytë, atë ndaj Teutës në Durrës, më 10 shtator 2006, ndërsa Babamusta do të jetë në fushë për t'u përballur me ish-skuadrën e tij. Në fakt, Bajko e cilëson si mjaft të dobishme këtë hapësirë të 14 ditore midis javës së parë të kampionatit dhe asaj të dytës (për shkak të ndeshjeve të Kombëtares kuqezi). "Është një mundësi mjaft e mirë për ne për t'u përgatitur edhe më tepër dhe për të rekuperuar plotësisht forcat dhe skuadrën për një sfidë të tillë sic është ajo e javës së dytë me Teutën", - përfundon Bajko, i cili ka qenë para dy sezonesh trajner i "Djemve të Detit".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›