E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zheji: “Kombëtarja e Shqipërisë, tani në Televizionin Publik”

-Sapo keni dalë nga një takim me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. A mund të na flisni për temën e këtij takimi dhe cfarë u diskutua?
-Mund të them që megjithëse koha sot është me shi dhe bubullima, takimi me zotin Duka u bë me kohë të mirë, ndërkohë që kur kishte kohë të mirë shkëmbimet e mesazheve të ndërsjellta në distancë, apo dhe nga afër me FSHF-në kanë qenë në kohë të keqe. Tani, nuk e di se cila është e vërteta që ka pasur një refleksion apo jo nga FSHF. Ndoshta avokatët e tyre kanë rishikuar më me vëmendje ligjin, ndoshta opinioni publik, ndoshta kemi të bëjmë me një keqkuptim të mirëfilltë, sipas fjalës së urtë popullore që thotë: I zoti jep, tellalli s'e shet. Që do të thotë se tellallët mediatikë të FSHF-së kanë qenë paksa të lajthitur nga orientimi. Të paktën praktikisht, ky ishte edhe thelbi i bisedës së bërë me zotin Duka. U sqaruam, të paktën me sa mendoj unë përgjithësisht, problemet dhe RTSH-ja, pasi iu paraqitën faturat e rregullta fiskale nga FSHF ka kryer pagesën përkatëse. Pra RTSH nuk është më debitor, ndonëse Rtsh është në vështirësi shumë të madhe ekonomike dhe ofertën e re për ndeshjen kualifikuese të kampionatit evropian të futbollit në Shqipëri, nuk e dimë se si do ta përballojmë nga ana ekonomike.
-Mund të na i shpjegoni më qartë se cfarë është diskutuar në kontaktet e mëparshme me drejtuesit e FSHF-së për këtë cështje?
-Nuk ka pasur asnjë takim, kanë qenë thjesht kontakte mediatike. Kjo do të thotë që avokati i tyre zoti Mici deklaroi se RTSH-ja i ka humbur të drejtat e transmetimit të ndeshjeve, në një kohë që zoti Duka sot (dje) tha që zoti Mici nuk ka qenë i autorizuar të thoshte kështu. Sipas Dukës, ai ka qenë i autorizuar të thoshte që nëse RTSH-ja nuk paguan atëherë i humb të drejtat. Unë i thashë që i gjithë konflikti ynë mediatik, që ishte gati për të shkuar në rrugë gjyqësore, ka ardhur për faktin sepse organi publik përvec gazetave apo deklaratave direkte të zotit Mici e më pas të një zëdhënësi, fliste shprehimisht që sipas tyre RTSH-ja i paskësh humbur të drejtat. Atëherë RTSH-ja reagoi nga ana editoriale televizive, reagova dhe unë personalisht ku thashë se kjo është një ndeshje e hapur me ligjin, pasi pavarësisht nga marrëveshjet apo mosmarrëveshjet kontraktuale me FSHF-në ligji përcakton shumë qartë që është Televizioni Publik Shqiptar, ai që do të transmetojë këto ndeshje. Kjo sepse është taksapaguesi shqiptar që ka të drejtë që t'i shohë pa pagesë këto ndeshje. Kjo ka qenë e gjitha. Mendoj se kishte goxha reflektim konstruktiv dhe ajo që është më e rëndësishmja nga të gjitha, nuk është hatërmbetja mes meje dhe zotit Duka apo e zotit Duka ndaj zotit Zheji, por është fakti që të paktën për këto ndeshje u hap semafori jeshil që teleshikuesit shqiptarë në Shqipëri të mund t'i ndjekin pa pagesë ato, në valët e Televizonit Publik Shqiptar.
-Sipas ligjit, e drejta e transmetimit të ndeshjeve kombëtare i kalon automatikisht, por për cështjen e pagesës nuk ka asnjë detaj të përcaktuar. Pse duhet t'i paguajë RTSH për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares FSHF-së?
-Ligji ka disa laguna, ka disa boshllëqe. Ligji nga njëra anë i thotë FSHF-së se ka të drejtën ta shesë të drejtën e transmetimit të ndeshjes. Ndërsa nga ana tjetër, ligji thotë se RTSH ka të drejtën të marrë automatikisht të drejtat e evenimenteve kombëtare sportive, në këtë rast edhe të drejtat televizive të kombëtares shqiptare të futbollit. Mirëpo, aty nuk është e përcaktuar nëse kjo duhet të bëhet gratis apo kundrejt pagesës. Këtë boshllëk kuptohet secili e zgjidh sipas interesave personale. FSHF, që ankohet nga ana e saj për buxhetet e varfra që ka, duke qenë se është një organizatë që mbahet nga këto të ardhura, mesa duket kërkon që këtë dhënie të së drejtës televizive t'i konsiderojë si shitje të së drejtës televizive. Oferta është e krahasueshme me atë të vitit të kaluar, nuk është ndonjë sekret. Vitin e kaluar për ndeshjet kualifikuese të Botërorit të kombëtares shqiptare ka qenë 65 mijë euro për 6 ndeshje plus 2 miqësore. Tani kemi të bëjmë me një ofertë e cila është më e lartë se 65 mijë euro, nuk është shumë më e lartë, por është e konsiderueshme më e lartë. Problemi është se buxheti i RTSH-së është gati 50% më i ulët se ai i dy viteve më parë. Unë i kërkova presidentit të FSHF-së që më dërgoi zyrtarisht ofertën e tij dhe menjëherë një kopje do t'ia dërgoj këshillit drejtues të RSTH-së, për arsye se oferta i kalon kompetencat e vendimmarrjes së drejtorit të përgjithshëm. Pra, po pres mbledhjen e këshillit që zhvillohet më datë 11 shtator dhe njëkohësisht një kopje do t'ia dërgoj Ministrisë së Financave të qeverisë shqiptare, për të gjetur një zë për rimbursim të drejtpërdrejtë nga shteti të kësaj oferte.
-Sipas kushteve që ju janë paraqitur, a ka RTSH-ja të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të kombëtares në satelit?
-Kjo ishte një nga pikat më nevralgjike dhe më delikate që diskutova me zotin Duka. Ai thotë që të gjitha të drejtat satelitore për Evropën nuk i ka FSHF-ja dhe zoti Duka, por kompania "Sportfive". Praktikisht, zoti Duka më tha tekstualisht që nuk më shesë apo të më japë mua të drejtën që ai nuk disponon. Ai ka të drejtën satelitore vetëm për Shqipërinë. Ky është një absurd në fakt, por ai i ka këto të drejta në kontratë ose të paktën kështu thotë. A thua se Shqipëria është një vend i madh sa Rusia apo Kina, që ka nevojë për shpërndarje satelitore të sinjalit. Shqipëria është një vend i vogël. Praktikisht, këtu ka lajthitje ligjore. Unë i tashë zotit Duka se FSHF-ja nuk mund të nënshkruajë kontrata me subjekte të palicencuara, për arsyen se televizionet e kriptuara ose me pagesë në Shqipëri janë të palicencuara nga shteti. Kështu që një subjekt nuk mund të nënshkruajë marrëveshje me to, sepse është një marrëveshje që bëhet me një subjekt të palicencuar. Nga ana tjetër, një gjë nënkuptova dhe duhet t'i bëj me dije opinionit publik shqiptar, është se RTSH nuk mund të negociojë me FSHF-në për të drejtat e transmetimit satelitor të ndeshjeve të kombëtares, për arsye se këto të drejta nuk i ka FSHF. Duhet t'i drejtohemi kompanisë "Sportfive", e cila i ka blerë këto të drejta për Evropën kundrejt një shifre prej 3 milionë e ca euro. Tani mund ta kuptoni që nëse ne i drejtohemi "Sportfive" në mënyrë që të na japë ne një fetë të të drejtave, që t'i japim në satelitin tonë, për bashkatdhetarët tanë, që janë të shpërndarë në të gjithë Evropën, kuptohet që do të na paraqitet një ofertë me shifra marramendëse. Ne do ta bëjmë formalisht përcapjen në drejtim të kësaj të drejte ndaj "Sportfive", por që nuk besoj se buxhetet e RTSH-së mund ta përballojnë. Nëse qeveria vë dorën në zemër dhe thotë që ta bëjmë këtë sakrificë financiare, në mënyrë që emigrantët shqiptarë t'i shohin ndeshjet e kombëtares dhe t'i shohin sipas vendeve që janë. Për shembull, ndeshjen Rumani-Shqipëri në Bukuresht nuk ma merr mendja që do ta japin televizionet e mëdha evropiane. Nuk e transmetojnë televizionet e mëdha evropiane si ato greke, gjermane apo italiane ku ka më shumë shqiptarë. Nuk e di se si do të zgjidhet kjo cështje, por është një problem që del nga kompetencat e të drejtave si të zotit Duka ashtu edhe të zotit Zheji.
- Pra, ju po thoni se "Sportfive" nuk mund t'ia shesë të drejtat e transmetimit të ndeshjeve televizioneve që nuk janë të licencuar?
- "Sportfive" i ka blerë të drejtat satelitore për të gjithë Evropën, dhe ia ka blerë FSHF-së. Tani në momentin që FSHF i ka shitur një herë një palë të drejta televizive për Evropën, nuk mund ta shesë për të dytën herë, sepse ka një kontratë. Ato shesin të drejtat satelitore për Shqipërinë. Kjo do të thotë se ai televizion me pagesë që është i kriptuar, shet karta anembanë Evropës dhe vetëm me anë të këtyre kartave mund të shikosh ndeshjet. Sateliti i cdo televizoni me pagesë del në gjithë Evropën, jo vetëm në Shqipëri, por duke qenë se është i kriptuar nuk krijon konflikt interesash me subjektet që e zotërojnë, në rastin konkret "Sportfive". Transmetimi satelitor i TVSH-së nuk është i kriptuar, është pa pagesë dhe në këtë mënyrë do të konkurronte vetë kompaninë që ka të drejtat, pra bie ndesh me interesat e kësaj kompanie.
-Një konkluzion të takimit, a arritët një akord në parim me FSHF-në për të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të kombëtares në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar?
- Për momentin, mund të them se shqiptarët që jetojnë në territorin e Shqipërisë, nëpërmjet frekuencave të Televizionit Publik Shqiptar, kundrejt ofertës së bërë nga FSHF-ja dhe kontratës përkatëse që do të bëhet në një fazë të dytë, do të kenë mundësi të shohin në tokësor ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit. Kjo është e sigurt. Mendoj që u sheshuan pjesa më e madhe e kontradiktave që kemi pasur deri tani. E vetmja kontradiktë që mbetet për t'u stabilizuar në momentin e fundit është cështja e cmimit, për të cilën mund të biem dakord apo mund të kërkojmë një zbritje. Varet se si do të jetë kundërpërgjigjja e federatës. Megjithatë, fakt është se ndeshja e datës 6 shtator Shqipëri-Rumani do të mund të shihet pa pagesë në territorin e Shqipërisë nga Televizioni Publik Shqiptar.
- Kur mendoni se do të mund të nënshkruhet kontrata me FSHF-në për të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të kombëtares?
- Unë nuk mund ta nënshkruaj atë kontratë, në qoftë se nuk jep mendimin dhe gjykimin e vet këshilli drejtues i RTSH-së. Mbledhja më e afërt e këshillit drejtues është caktuar më datë 11 shtator. Prandaj ne kemi bërë një marrëveshje të ndërmjetme me zotin Duka, në bazë të një marrëveshje që mund ta quajmë prej xhentëlmenësh, do ta na japin të drejtat televizive të ndeshjes së parë të eliminatoreve. Do të prodhojmë sinjalin, do ta transmetojmë dhe pastaj FSHF, do të na presë deri në përgjigjen tonë përfundimtare për kontratën. Nëse nuk do të biem dakord, atëherë sipas zotit Duka federatës i lind e drejta të kërkojë një rinegocim të të drejtave të ndeshjeve të mbetura të eliminatoreve të Euro 2008.
Intervistoi: Fatjon Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›