Bajram Curri pret "Sofrën Dardane ‘09"
Për të shtatin vit radhazi organizohet në Bajram Curri, "Sofra Dardane-Tropojë 2009", një veprimtari artistike që ka mbledhur rreth vetes 32 grupe artistike, të cilët me shfaqjet e tyre po paraqesin vlerat dhe bagazhin folklorik më të mirë të zonave të tyre. Për tre net rresht ky qytet është "pushtuar" nga kjo veprimtari e përvitshme, që organizohet nën kujdesit e Unionit Mbarëkombëtar të Artistëve. Kjo festë, që tashmë është kthyer në traditë gjithnjë e më shumë, është duke i kapërcyer edhe kufijtë e vendit tonë, duke pritur pranë vetes edhe të ftuar nga përtej kufirit. Përveç artdashësve të shumtë, veprimtarinë e ndjekin shumë specialistë të kulturës popullore, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga viset e tjera ku banojnë shqiptarët. Deri më tani kanë konkurruar grupe nga Prishtina, Gjakova, Rahoveci, Juniku, Klina dhe nga diaspora. Veprimtari të tilla, si "Sofra Dardane", gjallërojnë jetën artistike të qytetit, por edhe shpalosin vlerat folklorike shqiptare.