Poeti Ylber Merdani fiton kurorën e poezisë
Ylber Merdani, poet nga Korça, u vlerësua për krijimin më të mirë në edicionin e 11-të të aktivitetit të përvitshëm letrar "Netët korçare të poezisë", i cili u mbajt për dy ditë rresht në qytetin e serenatave. Gjatë këtij aktiviteti u shpalosën një larmishmëri poezish e krijuesish, të cilët vinin nga jo vetëm trevat shqiptare, por edhe nga vende të huaja. Mbrëmjen e së dielës juria e drejtuar nga poeti Skënder Rusi, shpalli si fitues të kurorës së poezisë Ylber Merdanin. Poetë të tjerë nga rajoni i Korçës apo qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe të ftuar nga vende të tjera si Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria etj., u vlerësuan me çmime speciale në këtë aktivitet poetik. Poetët Arben Shaholli, Ali Bregu, Vojsava Nelo, Jusuf Edip (Turqi) dhe Dimitar Bashevski (Maqedoni) u vlerësuan me çmimin special të "Netëve korçare të poezisë 2009". Poeti Xhelal Tosku fitoi çmimin "Perëndesha e dashurisë". Ndërkaq, për poezinë më të mirë kushtuar qytetit të Korçës u vlerësua me çmim poeti durrsak Agim Bajrami. Poetja bullgare Stefania Cankova u shpall surpriza e poezisë 2009. Krijuesi dhe përkthyesi Anton Nikë Berisha u nderua me çmimin "Asdreni". "Netët korçare të poezisë 2009" u çel më 13 qershor me recitime të poetëve të ftuar në sallën e teatrit "Andon Zako Çajupi". Krijuesit e poezisë dhe artdashësit korçarë shijuan në këtë natë edhe recitimet plot ndjenjë të aktorit të njohur Mirush Kabashi, i cili zgjodhi pjesë nga krijimtaria e poetëve Skënder Rusi dhe Lasgush Poradeci. "Netët korçare të poezisë, si një aktivitet i përvitshëm letrar, zhvillohen në qytetin e Korçës prej 11 vitesh tashmë".