E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajramaj lëndohet rëndë, përfundon sezonin

Fatmire Bajramaj ka pësuar lëndim të rëndë fundjavën që shkoi, në ndeshjen që skuadra e saj FFC Frankfurt e fitoi me rezultat 2:1 ndaj Turbine Potsdamit. Futbollistja kosovare i ka dëmtuar ligamentet e gjurit, pasi u faulua nga futbollistja kundërshtare, Tabea Kemme.

24-vjeçarja është dërguar në spital, për një kontroll. Dhe, mjekët kanë konstatuar se përfaqësuesja gjermane mund të mungojë deri në tetë muaj. Në bazë të diagnozës, futbollistja mund të rikthehet kah prilli ose maji i vitit të ardhshëm, por duket se sezoni mund të ketë përfunduar për të, ngase i nevojitet kohë për t’u riaftësuar dhe për t’u rikthyer në formën më të mirë.

Për koincidencë, vetëm dy ditë më parë, i fejuari i Bajramajt, Enis Alushi, i cili luan me Kaiserslauternin në Bundesliga 2, ka marrë një lëndim të rëndë të ligamenteve të gjurit të majtë dhe do të qëndrojë jashtë fushës së paku gjashtë muaj.

Alushi 26-vjeçar ka marrë lëndimin në sfidën që Kaiserslauterni e fitoi të enjten në udhëtim ndaj Bochumit, me rezultatin 2:1. Ai u dëmtua në minutën e 61-të të ndeshjes, pa ndikim të kundërshtarit. Testet e së premtes kanë konstatuar se Alushi ka këputur ligamentet e gjurit të majtë dhe do t'i duhet të pauzojë gjysmë viti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›