E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roma sherr De Rossi-Zeman

Humbja e rëndë me shifrat 4-1 në fushën e Juventusit është shoqëruar me probleme në skuadrën e Romës. Pas disfatës në Torino, ku verdhekuqtë praktikisht e shkatërruan në harkun e 19 minutave me 3 gola të pësuar, trajneri Zdenek Zeman dhe mesfushori Daniele De Rossi kanë pasur një zënkë me tone të ashpra.

Deklaratat e zv.kapitenit menjëherë pas asaj ndeshje, se “Roma do të vetëdëmtohej nëse flet me pretendime për titullin” dhe “do të ishte një mrekulli nëse skuadra e mbyll sezonin në tre vendet e para, ndërsa objektivi janë kupat e Europës” nuk janë pritur mirë nga drejtuesi i stolit.

Trajneri ka fajësuar lojtarët e skuadrës se janë të paaftë që të kuptojnë dhe zbatojnë lojën që ai kërkon. Mes të tjerave Zeman u mbroj duke thënë: “Metodat e mia të futbollit nuk janë të vjetra. Kjo skuadër nuk i ka lojtarët për stilin që unë kërkoj, por duhet theksuar se përballë Juventusit luajtëm me frikë dhe nuk u paraqitëm në nivelin tonë”.

Ndërkohë, mes të tjerave De Rossi duket se ka thënë se “nuk qëndroi në skuadër për t’u turpëruar”, duke shfaqur qartë se ka nisur të mendojë seriozisht të mos rinovojë kontratën në situatën kaotike të krijuar.

Për momentin, klubi ka preferuar të mbështesë trajnerin Zeman, edhe pse kritikat e tij drejtoheshin mbi të gjithë te Baldini dhe Sabatini, për përforëcimet e kryera në merkato. Tashmë tekniku dhe drejtuesit e klubit do të zhvillojnë një takim, ku dikush edhe mund të largohet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›