Kelmendi - nenkampione bote
Dihet se ajo është një sportiste e shkëlqyer. Pavarësisht mossuksesit në “Londër 2012”, sërish Majlinda Kelmendi mbetet tek majat dhe këtë e konfirmoi me titullin e nënkampiones së botës në xhudo, në kampionatin e zhvilluar në Romë.
Shqiptarja nga Kosova arriti në mënyrë të mrekullueshme deri në finale, në peshën deri 52 kg dhe vetëm aty u mposht nga italiania Moreti. Bashkë me Kelmendin, në Botërorin e Romës mori pjesë edhe kosovarja tjetër, Nora Gjakova, e cila doli në gjysmëfinale duke marrë medalje bronzi në peshën deri 57 kg.
Kelmendi ishte në Lojrat Olimpike në Londër me flamurin e Shqipërisë, por këtë herë të dyja vajzat morën pjesë nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Pra, sërish nuk kanë mundur të përfaqësojnë shtetin e tyre, Kosovën.
Gjithsesi, paraqitja shumë e mirë e dy sportisteve shqiptare nga Kosova natyrshëm që rrit imazhin e shtetit të tyre të ri dhe shtron rrugën për një njohje të tij nga federatat ndërkombëtare dhe nga Komiteti Olimpik.
Kelmendi 21-vjeçare është prej vitesh një xhudiste e nivelit tepër të lartë duke fituar titullin botëror për të reja në vitin 2009 në Paris dhe duke dalë e 9-ta në botërorin për të rritur në vitin 2010 në Tokio.
Në Lojrat Olimpike në Londër ajo u eleminua në të tetat e finaleve duke hyrë ndër 16 xhudistet më të mira olimpike në peshën deri 52 kg. Në krah të saj ishte Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që vendosi që ajo të garonte për Shqipërinë.