E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajramaj me Gjermaninë në Olimpiadë

Futbollistja kosovare, Fatmire Bajramaj, do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike verore "Pekin 2008". 

Bajramaj është përfshirë në listën e përfaqësueses së Gjermanisë për këtë olimpiadë. 20-vjeçarja është njëra prej 18 futbollisteve të ftuara për në Pekin. "Vendimi nuk ka qenë i lehtë. Të gjitha futbollistet kanë dhënë maksimumin, por aty ka vend vetëm për 18 lojtare. Olimpiada është shumë e vështirë, ndërsa orari i ndeshjeve shumë i ngjeshur. Fatmire Bajramaj po bëhet gjithmonë më e vlefshme për ne. Ajo është një futbolliste shumë teknike dhe që di të rrezikojë portën kundërshtare", ka thënë trajnerja e Gjermanisë, Silvia Neid. Gjermania gjendet në një grup në Olimpiadë me Brazilin dhe Nigerinë. "Jam shumë e lumtur që do të jem pjesë e skuadrës në Olimpiadë dhe mezi po pres të fillojë aktiviteti. Në Pekin do të na presin ndeshje të vështira, por si kampione të botës që jemi, natyrisht që vlerësohemi si favorite për të fituar titullin. Kemi një skuadër shumë të mirë. Jam shumë e bindur se nuk do të kthehemi duarbosh në shtëpi. Kemi shumë shanse për të fituar edhe medaljen e artë", ka shkruar Bajramaj në faqen e saj zyrtare. Bajramaj vitin e kaluar u shpall kampione e botës me Gjermaninë, ndërsa në finale mposhti Brazilin 2-0.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›