E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i Gëzim Kasemit, rikthen serialin e vrasjeve të Beratit

TIRANE - Rikthehet gjykimi për bandën e Altin Dardhës. Tashmë nga banda më e tmerrshme e 1997-ës, ka mbetur vetëm një prej 

të pandehurve, Gëzim Kasemi, i cili një vit më parë u ekstradua nga Milano, ku u prangos për llogari të drejtësisë shqiptare. Tashmë, 31-vjeçari rezulton të jetë dënuar me 23 vjet burg nga Gjykata e Tiranës në vitin 2001, pasi është gjetur fajtor të jetë bashkautor me Altin Dardhën, Altin Isufin dhe Agron Balliun, në ekzekutimin e Burhan Tomorrit, Abdyrrahim Tomorrit, Behar Eskiut dhe Kastriot Bejkos, ndërkohë që Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti, i shpëtuan vdekjes, por morën disa plumba. Ngjarja që tronditi Beratin ka ndodhur më 25 shkurt 1998, kur kapobanda Dardha bashkë me vlonjatin Isufi, Balliun dhe Kasemin qëlluan për t'u hakmarrë për vrasjen e të atit nga viktima Tomorri. Atentati ndodhi pranë stadiumit të qytetit, vetëm pak metra larg nga dera e Drejtorisë së Policisë, në kohën që gjashtë viktimat po pinin kafe në një lokal. Atentatorët u larguan drejt fshatit Uznovë, ku vranë një të moshuar për t'i tërhequr vëmendjen policisë. Pas kësaj policia mundi të arrestonte Bilalin dhe Kasemin, ndërsa Dardha dhe Isufaj morën peng një oficer policie dhe u larguan rrugëve të fshatrave të zonës. Isufaj, u vra ndërsa i bëri rezistencë policisë, ndërsa Dardha mundi të largohej, por tre ditë më vonë u vra në rrethinat e Janinës nga killeri nga Kuçova Arjan Paja. Dy të arrestuarit u liruan pak muaj më vonë pasi gjykata argumentoi se ata ishin thjesht pengje të Dardhës dhe se ishin lënë në rrugë që të arrestoheshin me qëllimin që të çorientonin policinë.
Tre vjet pas lirimit Kasemi u dënua me 23 vjet burg, ndërsa pas ekstradimit kërkoi të rinisë gjykimi i çështjes së tij. Tashmë në Gjykatën e Tiranës ka rinisur gjykimi, por disa javë më parë Kasemi ka kërkuar përjashtimin e kryesuesit të seancës nga gjykimi i kësaj çështjeje. Kërkesa e tij u shqyrtua nga një tjetër gjykatës kryeqytetas, i cili vendosi rrëzimin e saj. Aktualisht Kasemi ndodhet në paraburgimin 313, ku u rikthye tetë vjet pas lirimit. Rreth një vit më parë Prokuroria e Përgjithshme pohoi se do të rihapte hetimet për qindra dosje të vjetra, mes të cilave edhe ato të bandave famëkeqe të Beratit. Ky qytet e përjetoi më ashpër vitin e mbrapshtë '97, ku u shënuan rreth qindra vrasje gjatë përplasjeve mes bandave rivale dhe krimeve të kryera nga keqbërës të ndryshëm.                                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›