E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshira e Bushit, edhe një vit në Kombëtare

I ka mjaftuar një muaj e gjysmë terapi intensive te Herta e Berlinit, për t'u siguruar se mund të luajë edhe një sezon tjetër me fanellën e Kombëtares. 

JETMIR HALILAJ

 Alban Bushi, golashënuesi më i mirë i kuqezinjve, megjithëse në miqësoren kundër Polonisë më 27 maj nuk mori ftesë nga trajneri Ari Han, vazhdon të shpresojë se do të jetë pjesë e përfaqësueses edhe për sezonin e ardhshëm. "Jam rikuperuar plotësisht dhe kam dëshirë që të jem pjesë e Kombëtares edhe edicionin e ardhshëm", ka thënë sulmuesi për "Panorama". Problemet në këmbën e djathtë kanë marrë fund dhe lojtari synon që të bëjë një sezon të mirë në kampionatin grek, me skuadrën e tij Levadhiakos.
Si shkoi periudha e rikuperimit në Gjermani?
Për fatin tim të mirë gjërat shkuan shumë mirë. Tani kam filluar stërvitjet me skuadrën e Levadhiakos dhe nuk kam pasur probleme me këmbën. Në Gjermani punova me stafin mjekësor të Hertës së Berlinit për rreth një muaj e gjysmë dhe fizioterapisti i skuadrës bashkë me mjekun kanë bërë një punë të shkëlqyer. Sigurisht që e kishin paksa dorën të rëndë me çmimin (qesh), por gjithsesi ia vlejti, sepse tani jam në formë. Pas 25 ditëve në terapi zhvillova një minifazë përgatitore me skuadrën e Hertës në Austri, çka më ndihmoi të rifitoja besimin në vetvete. Kam punuar vërtet shumë dhe mendoj se tani jam gati për një sezon shumë të vështirë.
Gjatë kohës që stërviteshit te Herta, ju lindi ndonjëherë dëshira për të qenë pjesë e kësaj skuadre, apo për t'u transferuar në ndonjë ekip tjetër gjerman?
Sigurisht. Futbolli gjerman është pjesë e elitës së futbollit botëror dhe çdonjëri do të kishte dëshirën për të luajtur aty. Megjithatë, unë kam familjen time në Greqi dhe përveç kësaj oferta që më bëri Levadhiakos ishte vërtet joshëse. Pata kontakte nga disa klube gjermane, por nuk më bindën. Pastaj nuk mund të lija në baltë presidentin e Levadhiakosit, i cili bëri të pamundurën për të më marrë në skuadër.
A është i mjaftueshëm një emër si Levadhiakosi për të rifituar një vend në Kombëtare?
Së pari, askush nuk ka thënë që unë jam jashtë Kombëtares, të paktën jo zyrtarisht. Mendoj se trajneri Han jo më kot u interesua për mua gjatë kohës që ishte në Greqi pak muaj më parë. Së dyti, mos harroni se Levadhiakos është pjesë e Superligës greke dhe mendoj se nuk është një ekip i rëndomtë. Së treti, unë vendin në Kombëtare nuk e kam fituar falë emrit të skuadrave ku kam luajtur, por për golat e shumtë që kam shënuar. Edhe këtë sezon do të përpiqem të shënoj sa më shumë gola, pastaj të shohim se si do të shkojnë gjërat.
Meqë jemi te Kombëtarja, sa për qind jeni i bindur se do të vazhdoni të jeni pjesë e saj edhe sezonin e ardhshëm?
Këtë nuk e di, sepse e vendos trajneri. Unë mund të them se jam në formë të mirë dhe do të bëj maksimumin për të bindur trajnerin të më grumbullojë. Unë dëshiroj të luaj edhe edicionin e ardhshëm me përfaqësuesen dhe jam i bindur se mund t'i shërbej Kombëtares edhe për një vit. Do të përpiqem të shënoj sa më shumë që ta vë në pozita të vështira trajnerin, ashtu siç ndodhi dhe me Bariçin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›