Bajramaj, olimpistja kosovare luan Gjermaninë

Lojërat Olimpike "Pekin 2008" nisën dy ditë para ceremonisë zyrtare të hapjes, më 8 gusht, me futbollin e femrave. Brazili e Gjermania, dy nga ekipet më të mira në botë në futbollin e femrave e mbyllën takimin pa gola (0-0), pavarësisht se prodhuan një futboll me ritëm. Kosovarja Fatmire Bajramaj, e cila mbron ngjyrat e Gjermanisë në Olimpiadën e Pekinit, hyri në fushë në minutën e 63-të.
Noviciki- Basketbollisti Dirk Novitzki, superylli gjerman i cili luan në kampionatin amerikan, NBA, do të mbajë flamurin gjerman në ceremoninë e hapjes në stadiumin kombëtar të Pekinit, duke qenë kështu basketbollisti i parë gjerman që mban flamurin në Lojërat Olimpike. Novicki ka qethur flokët shumë shkurt, ku dallohen qartë në anën e majtë të kokës pesë rrathët olimpikë.
Federer - Tenisti i njohur Roxher Federer ka nderin e madh të mbajë flamurin për herë të dytë në Lojërat Olimpike. Ylli botëror do të udhëheqë ekipin olimpik të Zvicrës në "Folenë e zogut", sic thirret ndryshe stadiumi kombëtar i Pekinit.
Protesta dhe arrestime në Pekin
Ditë protestash para nisjes së Olimpiadës. Tre qytetarë amerikanë manifestuan në sheshin "Tiananmen", duke protestuar kësaj radhe jo në mbrojtje të drejtave të njeriut, por politikën e kontrollit të lindjeve që mban qeveria kineze. Përpara se të bllokoheshin nga policia, manifestuesit hodhën slogane kundër autoriteteve.
Qeveria kineze ndaloi gjithashtu me forcë kundër aktivistëve të huaj, të cilët kanë dalë në mbrojtje të Tibetit. Dy britanikë e dy amerikanë ekspozuan banderola me fjalët "Tibeti i lirë" pranë stadiumit kombëtar të Pekinit.