Vllaznia në merkato, por me probleme “televizive”

Vllaznia është hedhur frontalisht në merkato, kjo dhe për faktin se drejt Turqisë janë larguar Sukaj, Teli e Lika. Përfundimisht Sukaj ka nënshkruar me Genclerbirligi, ndërsa Admir Teli e Gilman Lika me Hacettepe.
Emrat e parë që qarkullojnë janë Ardit Beqiri e Paulin Dhembi (të dy të Partizanit), ndërkohë që në Shkodër ka mbërritur edhe kroati Jurica Puljtiz, i cili më parë ka luajtur për Hajdukun e Splitit, por edhe me Anderlehtin e Eintrahtin e Frankfurtit. Te Vllaznia aktualisht janë edhe kroati Marko Bashic si dhe sulmuesi cek, Mirosllav Kausen.
Lajmi i fundit që vjen nga kampi shkodran ka të bëjë me Elvin Beqirin, i cili mund të transferohet në Belgjikë. Gjithsesi, mbrojtësi me një të kaluar të gjatë në Ukrainë, Izrael e Rusi, do të jetë në fushë kundër Napolit.
E drejta televizive e ndeshjes Vllaznia-Napoli është futur në një labirinth, pasi ka një konflikt midis kompanisë "Sport Five", që mendohej se do të fitonte të drejtën e transmetimit dhe kompanisë greke "Olimpic Sport", që ka pas nënshkruar një kontratë pesëvjecare me ish-presidentin e Vllaznisë, të ndjerin Myftar Cela (2001-2006), por që pretendon se ka paguar kesh në dorë një shumë prej 100 mijë eurosh, para takimit Vllaznia-Gallatasaraj, ndërkohë që kompania greke ka arkëtuar vetëm një shumë të vogël (2 mijë euro) deri në vitin 2008 e kërkon të gjithën e dhënë, pasi pretendon se ka dhe tre vjet të tjera kontratë, pasi pala greke numëron pjesëmarrjen e Vllaznisë në Ligën e Kampioneve e Kupën UEFA, duke përjashtuar pjesëmarrjën në Kupën Intertoto.
Një cështje e komplikuar që pritet të zbardhet në ditët në vijim, të paktën para 14 gushtit, kur do të luhet edhe takimi Vllaznia-Napoli.