Sidni Hoxha më i riu i ekipit Olimpik

Nga Aida Tuci (Sporti Shqiptar)-Sidni Hoxha ashtu si dhe kolegia e tij në Lojërat Olimpike Rovena Marku nuk e ka patur aspak të lehtë ti bashkangjitet ekipit tonë Olimpik që po përfaqësohet në "Pekin 2008". Sidni e ka patur më të vështirë të bindë Federatën Shqiptare të Notit se ai ishte sportisti më i mirë (mashkull) për të përfituar ftesën e akorduar nga Federata Botërore e Notit (FINA). Gjithsesi Sidni Hoxha mban dhe "stafetën" e sportistit më të ri të ekipit tonë olimpik që me një karrierë të shkurtër krahasuar me të tjerët arrin të jetë pjesë e një evenimenti kaq të rëndësishëm sa Lojërat Olimpike.
Dy herë vizitor në Pekin
Sidni Hoxha në fakt shkon për herë të dytë brenda këtij viti në Pekin. Vizitën e tij të parë ai e bëri në turneun kualifikues të notit që u zhvillua në Pekin me synimin për të arritur atje një rezultat pozitiv në mënyrë që të binde FSHN-në se ai ishte më i miri "në treg". Në këtë turne ai do të shoqërohej nga trajneri i tij, Agron Cuka. Por për notarin Hoxha jo gjithcka ka qenë e lehtë për të marrë pjesë në këtë turne kualifikues. Pasi Federata Shqiptare të Notit deshi shumë kohë të mendohej për ti dhënë atij të dretjën për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë turne kualifikues. "Ishte testi i fundit për t'u kualifikuar në Lojërat Olimpike "Pekin 2008 dhe unë kisha kohë që stërvitesha dhe nuk kishte se si të humbiste kjo mundësi. Por e rëndësishme është që unë u përfaqësova në Pekin dhe arrita një rezultat të mirë që më hapi rrugën për të qenë pjesë e delegacionit tonë në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Kështu nuk shkoi dëm aq puna ime si notarë, por edhe e trajnerit tim, por sidomos e familjes që më ka mbështetur gjithmonë"- thotë Sidni Hoxha
Në Pekin të tregojë vlerat e tij si sportist
Sidni Hoxha, shkon në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" me ftesë edhe pse kishte synuar që atje të shkonte me me normën B të kualifikimit. Synimi i tij në Lojërat Olimpike është thyerja e rekordit kombëtare në 50 metra stil i lirë, e vetmja garë ku ai dhe notarja Rovena Marku do të marrin pjesë në olimpiadë.
Vetëm 16 vjec, Sidni Hoxha tashmë ka fituar të drejtën për të marrë pjesë në Olimpiadë dhe të bëjë realitet ëndrrën e tij, konkurrimin mes më të mirëve në botë në sportin e notit. "Ndihem shumë i lumtur dhe më në fund ëndrra ime u bë realitet. Që kur kam nisur të merrem me këtë sport, Olimpiada ka qenë ëndrra ime. Falë një punë intensive dhe serioze që kam bërë prej kohësh, sidomos këtë vit, deklaroj se më në fund arrita ta finalizoj me sukses misionin tim. Objektivi im në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" është përmirësimi i rekordit kombëtar. Por, do të bëj të pamundurën që t'i afrohem edhe më shumë normës olimpike të kategorisë B. Ndërkohë që dua të falënderoj shumë familjen time dhe këtë pjesëmarrje ia dedikoj pikërisht asaj, e cila në asnjë moment nuk më ka munguar në stërvitjet që unë kam zhvilluar gjatë gjithë kësaj periudhe"- shprehet Sidni. Koha më e mirë e tij në 50 metra stil i lirë është 25"00 dhe në olimpiadë synon ta përmirësojë edhe këtë kohë.
Sidni Hoxha
Datëlindja 6.01.1992
Vendlindja Shkodër
Sporti Not (stil i lirë)
Gjatësia 188cm
Pesha 63kg
Rezultatet: 2008 Kampionati Botëror i Notit Mancester/ rekord kombetar me 24"86
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me ftesë si sportisti më i mirë mashkull
Objektivi në "Pekin 2008": Përmirësimi i kohës 25"70