“Bajroni e Ballkani”mblidhen studiuesit e rajonit
Plot 200 vjet nga udhëtimi i tij mitik, Bajroni kthehet sërish në Shqipëri. Sigurisht, kjo do të mundësohet përmes studiuesve, apo “bajronistëve”, të cilët përmes analizave bashkëkohore, do të ofrojnë portretin e kësaj figure të shquar të letërsisë botërore, por edhe do të na kthejnë pas, në kohërat e rrugëtimeve nëpër viset e ashpra shqiptare. “Bajroni dhe Ballkani” titullohet simpoziumi, i cili organizohet sot nga Shoqata Shqiptare e Bajronit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e të tjera institucione. Sipas njërit prej organizatorëve, prof. Afrim Karagjozi, ky është i pari simpozium ndërkombëtar që organizohet për nder të poetit dhe si i tillë, ai përbën një ngjarje të rëndësishme kulturore. Por edhe më të rëndësishëm këtë aktivitet e bën pjesëmarrja e personaliteteve të letërsisë, studiues të njohur, bajronistë, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga rajoni e më gjerë, të cilët do të ndajnë pikëpamjet e tyre mbi këtë figurë të letërsisë botërore. Sipas prof. Karagjozit, tematika që rrok simpoziumi është e larmishme, duke filluar që nga jeta, vepra, udhëtimi, vlerat, etj. Do të ketë kërkime dhe trajtesa të reja, madje sipas tij do të ketë edhe ndonjë kumtesë që synon evidentimin e një “Bajroni ndryshe”.
Alma Mile
Aktiviteti në përkujtim të 200-vjetorit të udhëtimit nëpër Mesdhe e në veçanti në Shqipëri, do të përqendrohet vetëm në trajtesat shkencore. Edhe pse u fol për një shfaqje të mundshme të ndonjë dokumentari mbi jetën e Bajronit, kryetari i shoqatës siguron se nuk do të ketë asnjë të tillë. Bëhet fjalë për dokumentarin “Aventurat skandaloze të Lord Bajronit”, realizuar nga aktori britanik Rupert Everett, i cili mendohej që do të shfaqej edhe në Tiranë me rastin e këtij aktiviteti. “Nuk e disponojmë këtë dokumentar, por edhe nëse do ta kishim nuk do ta shfaqnim. Shfaqja e tij u shoqërua me shumë reaksione në Britaninë e Madhe dhe imagjinoni se si mund të pritej ai në Shqipëri”, thotë Afrim Karagjozi, teksa shton si ai ishte një dokumentar i prirë drejt sensacionit. Ndërsa simpoziumi që organizohet sot në orën 09.00 në ambientet e hotel “Tirana International”, ka një karakter më serioz. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se dokumentari nuk do të shfaqet në Tiranë. Mësohet se “Aventurat skandaloze të Lord Bajronit” do të shfaqen në fund të muajit shtator, sigurisht jo nën emrin e Shoqatës Shqiptare të Bajronit, por nga të tjerë organizatorë, Albanian National Trust. Gjë që pritet të shkaktojë polemika edhe në vendin tonë, ku Bajroni është trajtuar gjithnjë si një figurë tepër e dashur, duke qenë se është ndër të parët që tregoi për shqiptarët në botë. Dokumentari i Everett rreket të hulumtojë në jetën intime të poetit dhe do të jetë e vështirë që imazhi i djaloshit të veshur me kostum popullor shqiptar, mik në sarajet e Ali Pashë Tepelenës, të “këmbehet” me atë të një djaloshi të mërzitur nga jeta në Londër, në kërkim të aventurave seksuale. Do të ishte pikërisht udhëtimi i 200 viteve më parë, që do ta bënte të njohur Bajronin në të gjithë botën. Në korrik të vitit 1809, kur ishte vetëm 21 vjeç ndërmori udhëtimin e tij drejt Mesdheut, duke u nisur nga skela e Falmouthit. Në këtë udhëtim ai shoqërohej nga një shpurë shërbëtorësh dhe shoku i tij i shkollës Cam Hobhouse. Udhëtimet ishin të rrezikshme, prandaj Bajroni vizitoi vetëm ato vise që nuk rrezikonin nga lufta që kishte shpërthyer në Evropë. Prej Lisbonës udhëtoi me kalë 640 kilometra dhe arriti në Kadiz. Nga ky port spanjoll një luftanije angleze e solli nëpër Mesdhe prej Gjibraltarit në Maltë dhe që aty në Prevezë, në Shqipëri. Nga Preveza, Bajroni dhe Cam Hobbouse bujtën në Janinë. Duke mos e gjetur aty Ali Pashën, më 11 tetor vazhduan udhëtimin 160 kilometra të tjera në veri. Më 17 u nisën në Libohovë dhe arritën në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisën më 19 të tetorit në orën 3:30 pasdreke dhe në orën 5:00 arritën në Tepelenë. Pas tri ditëve si mysafirë të Ali Pashës, u kthyen po asaj udhe. Nga Janina u nisën për në Prevezë dhe së andejmi kaluan për në Greqi nën mbrojtjen e 35 shqiptarëve. Duke u larguar nga Shqipëria, Bajroni përshkoi Akarnaninë dhe më 21 nëntor 1908 arriti në Mesolongji. Bajroni u kthye në Londër në korrik të vitit 1811. Gjatë udhëtimit shkroi një ditar në vargje, të cilin e pagëzoi me titullin “Shtegtimi Çajld Haroldit”. Ky ditar u botua pa vullnetin e tij, por e bënë të famshëm brenda një kohe shumë të shkurtër.