Nis ndërtimi i apartamenteve për 96 familje të pastreha
FIER – Ndërtimi më i fundit në qytetin e Fierit pritet të zgjidhë problemin e 96 familjeve të pastreha. Janë banesat sociale me qira ato që do të sistemojnë këto familje, edhe pse numri i të pastrehëve në total i kalon 600. Ditët e fundit kanë nisur punimet në sheshin e ndërtimit të përcaktuar për këtë projekt. Këto godina janë vendosur për t’u ngritur në rrugën “Aulona”, në dalje të qytetit të Fierit. Rreth 122.7 milionë lekë është fondi në total i mundësuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, Ministria e Punëve Publike dhe Bashkia Fier. “Jemi në fazën e parë të punimeve dhe konkretizojmë një projekt tepër të rëndësishëm. Nga ky projekt do të përfitojnë vetëm një kontingjent prej 96 familjesh, të cilat plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj. Por, brenda vitit të ardhshëm investimet do të vijojnë duke ndërtuar të tjera apartamente që do të plotësojnë nevojën e një kontingjenti tjetër”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Fierit, Jani Fuli. m.r