E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi “pushton” mediat austriake

 

Mediat austriake, por dhe faqet e forumet në internet i kanë thurur në kor lavde sulmuesi shqiptar, i cili shënoi golin e barazimit në debutimin e tij me "jeshilët" vjenezë. Një sinjal i mirë vetëm tri ditë përpara ndeshjes së Rapidit kundër Hamburgut në Ligën e Evropës, teksa në takimin Rapid-Salzburg ishin edhe dy zbulues, një nga gjermanët e Hamburgut dhe një tjetër nga italianët e Romës. "Salihi është në një rrugë të mbarë", - shkruan gazeta austriake "Kurier". Në fakt, Salihi është një specialist goli kundër Salzburgut, pasi dhe gjatë këtij sezoni, kur ai ishte pjesë e SV Ried, shënoi golin e vetëm të takimit, në fitoren 1-0 të Riedit, edhe pse kishte hyrë në lojë pasi kishte marrë një "qese" me antibiotikë. Interesant është një fakt, golin e dytë të tij sezonal, shkodrani ia kishte shënuar Rapidit (1-1), ndërkohë që të tretin e realizon për fanellën e Rapidit. "Debutim i lumtur i Salihit", - theksonte "Kurier". Salihi nuk e fshehu kënaqësinë: "Jam shumë i kënaqur. Por, perfekte do të ishte nëse unë vetëm pak minuta përpara përfundimit të takimit do të shënoja golin e dytë". "I sëmuri Salihi rrëzon me kokë kampionët", ishte titulli ne faqen austriake Laola1.at. Ndërkaq, njeriu që e kërkoi me ngulm ish-lojtarin e SV Ried në kryeqytetin austriak tha për agjencinë austriake të lajmeve, APA: "Me atë në fushë gjithmonë mund të llogaritësh diçka, ai ka një nuhatje perfekte për situata të tilla". Salihi e shënoi golin pikërisht mbi vijën e bardhë të portës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›