E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, sllovakët interes për lokomotivat shqiptare

 

DURRES/ OERD ULQINI

Lokomotivat e prodhimit çekosllovak të dala jashtë përdorimit, zgjojnë interesin e madh të palës sllovake. Një delegacion i TOOZ (Ndërmarrja Hekurudhore Sllovake), i kryesuar nga presidenti Stanislav Boruta mbërriti në Durrës, ku është takuar me numrin një të hekurudhës shqiptare, Zamir Ramadani. Në qendër të diskutimeve ka qenë stoku i grumbulluar në vite nga ana e hekurudhës sonë. Hekurudha shqiptare ka si mall stok 31 lokomotiva dhe 306 vagonë, pesha totale e të cilëve arrin në 10 mijë tonë. Asnjë prej këtyre mjeteve nuk është në gjendje pune, por shitja për skrap, ndonëse është mundësia më e lehtë shihet si alternativa e fundit nga ana e krerëve të hekurudhës. “Ekziston mundësia e këmbimit mall me mall. Për shembull t’i japim sllovakëve 31 lokomotiva stok dhe të marrim prej tyre disa të reja, shumë më të shpejta dhe moderne. Ata janë të interesuar shumë, pasi të gjitha janë blerë në ish-Çekosllovaki, por ndonëse kanë kaluar shumë vite sllovakët e kanë ende të hapur linjën e prodhimit të tyre. Marka është e njëjtë dhe ekziston mundësia e modifikimeve apo riparimeve me pjesë këmbimi origjinale. Ne nuk kemi mundësi financiare për t’i riparuar vetë. Ndërsa shitja për skrap është mundësia e fundit që na shkon në mendje. Të njëjtin interes sllovakët paraqitën edhe për vagonët”, tha Ramadani. Lokomotivat dhe vagonët kanë përshkuar mijëra milje tokësore dhe tani pas gjysmë shekulli mund të rikthehen sërish në vendin e origjinës. Pavarësisht se malli i blerë nga kampi socialist është krejtësisht i amortizuar, ai sërish ka vlerë të lartë në një tregti ku shkëmbimi bëhet pa para. Por pasi kanë dëgjuar mirë propozimin e palës shqiptare, inxhinierët e huaj kanë marrë të dhëna të detajuara për çdo lokomotivë apo vagon, të cilët janë kryesisht prodhime të Çekosllovakisë dhe Polonisë. Sllovakët e paraqesin ofertën e tyre pas dy javëve, ku sipas gjasave pritet që pasi të marrin në dorëzim 31 lokomotiva stok me peshë 100 tonë secila, të na dorëzojnë afërsisht pesë ose gjashtë të tjera, të cilat të jenë në gjendje shumë të mirë dhe me parametra modernë. Ardhja e lokomotivave të reja nga Sllovakia do ta gjallëronte shërbimin hekurudhor, pasi do të rriste ndjeshëm shpejtësinë e trenave tanë, tregues ky që aktualisht është ndër më të ulëtit në kontinent. Interesimi i sllovakëve ka të bëjë me faktin se ato janë vendi i origjinës së këtyre lokomotivave, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë ndër prodhimet më të mira botërore në vitet ‘60.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›